FOKUS – Irani paralajmëron EBA-n për sulme ndaj ishujve të diskutueshëm në Gji

TEHERAN, 21 mars /ATSH-AFP/ – Ushtria iraniane ka paralajmëruar sot se do të godasë Emiratet e Bashkuara Arabe nëse nga territori i saj ndërmerren sulme kundër ishujve të Gjirit që kontrollohen nga Irani, por që pretendohen nga Emiratet.
“Nëse agresione të reja nisen nga territori i Emirateve kundër ishujve iranianë Abu Musa dhe Tunb i Madh në rajonin e Gjirit, forcat e fuqishme të armatosura iraniane do ta nënshtrojnë Ras al-Khaimah, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndaj goditjeve të ashpra”, deklaroi komanda operative e ushtrisë iraniane Khatam al-Anbiya në një komunikatë të transmetuar nga agjencia Tasnim News Agency.
Ishujt Abu Musa, Tunb i Madh dhe Tunb i Vogël, të vendosur pranë hyrjes së Ngushticës së Hormuzit, kanë qenë prej kohësh burim tensioni mes Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Përmes kësaj ngushtice kalon rreth një e pesta e naftës botërore.
Irani akuzon vendet fqinje të Gjirit se lejojnë forcat amerikane të kryejnë sulme nga territoret e tyre.
Që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, Teherani ka ndërmarrë një sërë sulmesh me raketa dhe dronë, të cilat, sipas tij, synojnë interesat amerikane në këto vende. /Ad.Ab./ a.jor.