E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Izraeli dhe Libani bien dakord për negociata direkte pas takimit në SHBA

UASHINGTON, 14 prill /ATSH/- Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord të nisin negociata të drejtpërdrejta pas takimit të zhvilluar sot në Uashington, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH),  përfaqësuesit e të cilit morën gjithashtu pjesë në bisedime, sipas BBC.

Zëvendëszëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tommy Pigott deklaroi se takimi mes ambasadorëve të dy vendeve dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ishte “historik”, duke shtuar se SHBA-ja shpreson që angazhimi i ri të çojë drejt një marrëveshjeje afatgjatë paqeje të ndërmjetësuar nga Uashingtoni.

Sipas deklaratës, të dyja palët ranë dakord të punojnë për të reduktuar ndikimin e Hezbollahut, të mbështetur nga Irani.

Qeveria libaneze synon të rikthejë monopolin e forcës në territorin e saj dhe të kufizojë ndikimin e Teheranit.

Nga ana e tij, delegacioni libanez kërkoi një armëpushim si dhe masa konkrete për të adresuar dhe lehtësuar krizën e rëndë humanitare në vend.

Izraeli, sipas raportimeve, pranoi të bashkëpunojë me Libanin për shpërbërjen e “të gjitha grupeve terroriste jo-shtetërore” dhe për arritjen e një paqeje të qëndrueshme, megjithëse nuk ka premtuar një angazhim të drejtpërdrejtë për ndalimin e sulmeve në territorin libanez.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur nga sulmet e vazhdueshme të Hezbollahut.

Ky takim shënon bisedimet e para të drejtpërdrejta mes qeverive të Izraelit dhe Libanit që nga viti 1993. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›