UASHINGTON – Përfundojnë bisedimet Izrael-Liban-SHBA

UASHINGTON, 14 prill /ATSH/- Bisedimet midis Izraelit, Libanit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington kanë përfunduar, konfirmoi sot ambasada izraelite në SHBA, sipas BBC.
“Përfaqësuesit nga të tre vendet zbuluan sot se jemi në të njëjtën anë të ekuacionit dhe kjo është gjëja më pozitive që mund të kishim arritur”, tha sot ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter pas bisedimeve midis Izraelit, Libanit dhe SHBA-së, në Uashington.
“Të dy vendet janë të bashkuara në çlirimin e Libanit nga fuqia pushtuese e dominuar nga Irani e quajtur, Hezbollah”, shtoi ai.
Leiter vazhdon të përshkruajë më shumë rreth bisedës së tij me ambasadoren libaneze në SHBA, Nada Hamadeh, në departamentin e shtetit të SHBA-së.
“Folëm për një sërë çështjesh, më e rëndësishmja për vizionin afatgjatë, ku do të ketë një kufi të përcaktuar qartë midis vendeve tona, dhe e vetmja arsye pse do të na duhet të kalojmë në territorin e njëri-tjetrit do të jetë me kostume biznesi për të kryer biznes ose me kostume banje për të shkuar me pushime”, tha Leiter duke iu referuar takimit të tij me ambasadoren libaneze në SHBA, Nada Hamadeh, në Departamentin Amerikan te Shtetit.
“E bëmë të qartë se siguria e civilëve tanë nuk është në negociata”, shtoi Leiter.
“Kjo ishte një fitore për mendjen e shëndoshë për përgjegjësinë dhe për paqen”, tha ai.
“Hezbollahu është “më i dobësuar se kurrë më parë”, tha Leiter, duke premtuar se do të vazhdojë të “pastrojë” rajonin nga kërcënimi “malinj” i grupit.
“Luftërat e Izraelit në Liban e kanë dobësuar Hezbollahun deri në atë pikë sa është e mundur që qeveria libaneze të kalojë në një epokë të re paqeje”, tha Leiter.
Të tre palët diskutuan për dy orë e gjysmë, dhe një deklaratë e përbashkët pritet të publikohet së shpejti.//a.i/