FOKUS – KE: Ekonomia në BE rritet 0,9%

BRUKSEL, 15 nëntor /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian parashikoi rritje ekonomike prej 0,9% në vitin 2024 për Bashkimin Evropian dhe 0,8% në eurozonë në parashikimin e tij të vjeshtës, të publikuar sot.
Për vitin 2025, kjo pritet të rritet në 1,5% në BE dhe 1,3% në eurozonë.
Krahu ekzekutiv i BE-së e përshkroi performancën ekonomike të bllokut si “të qëndrueshme, megjithëse të ndrydhur”, duke vënë në dukje konsumin e kufizuar të familjes, investimet zhgënjyese dhe një kosto ende të lartë jetese.
Në një vlerësim të mëparshëm në maj, rritja ekonomike për vitin 2024 në BE parashikohej të ishte 1%.
Performanca e dobët e Gjermanisë përmendet shpesh si një zvarritje në ekonominë e gjerë të BE-së nga analistët
Komisioneri i Ekonomisë i BE-së Paolo Gentiloni tha se ekonomia gjermane pritet të bjerë me minus 0,1% në 2024, tërheqja e dytë radhazi pas rritjes negative prej minus 0,3% në 2023.
“Pasiguria e lartë ka rënduar mbi konsumin dhe investimet”, tha Gentiloni në një konferencë për shtyp për të paraqitur parashikimin.
“Perspektiva e tregtisë ka qenë e dobët, duke reflektuar dobësinë e kërkesës globale për mallra industriale gjatë viteve të ardhshme,” shtoi ai.
”Industria në Gjermani mbetet ende e trazuar nga kostot e larta të energjisë”, tha Gentiloni.
Komisioneri i Ekonomisë i BE-së tha se Gjermania do t’i rikthehet rritjes në 2025 me 0,7% dhe do të rritet më tej në 2026 me 1,3%.
Ekonomia me peshë të rëndë e bllokut është normalisht një shtytës kryesor i rritjes ekonomike në BE, por ka luftuar për disa vite me shumë vështirësi në sektorët e inxhinierisë, automobilave, industrisë kimike dhe prodhimit.
”Punësimi mbetet ende i lartë”, tha komisioni dhe theksoi se në tetor, shkalla e papunësisë në BE arriti një nivel të ri historik prej 5,9%.
Inflacioni në eurozonë ra me më shumë se gjysmën në vitin 2024 në 2,4%, nga 5,4% në 2023.
Fitorja e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, e cila kërcënon BE-në me tarifa ndëshkuese për shumë produkte, ka të ngjarë të luajë gjithashtu një rol negativ./ a.jor.