FOKUS – Katër çështje që duhen kapërcyer për të arritur paqen në Ukrainë

KIEV, 26 nëntor /ATSH/ – Pas takimit të Gjenevës, por veçanërisht pas atij në Emiratet e Bashkuara Arabe, ekziston një shkallë e caktuar optimizmi në zgjidhjen e konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë, shkruan il messaggero.it.
Por ajo që delegatët amerikanë vazhdojnë ta quajnë “detaje” rrezikojnë të jenë të vështira për t’u kapërcyer. Të paktën me afatin kohor të parashikuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Pika e parë e fërkimit që doli nga drafti ruso-amerikan ka të bëjë me cedimin e territoreve nga Kievi.
Objektivi i Vladimir Putinit është i qartë: të sigurojë që Ukraina të cedojë jo vetëm zonat e pushtuara nga rusët, por edhe zona të tjera brenda rajoneve të konsideruara nga Moska si territor i vet.
Në këtë pikë, Uashingtoni duket se është tërhequr.
Negociatat, sipas delegatëve amerikanë dhe ukrainas, do të fillojnë nga “vija e kontaktit”, me një ngrirje në vijën e frontit.
Por kjo klauzolë vjen në mënyrë të pashmangshme me një kusht: që armët të ndalen dhe kjo vijë të përcaktohet.
Çështja tjetër me të cilën përballet e ardhmja e Ukrainës është ushtarake dhe strategjike.
Drafti i parë parashikonte një numër maksimal trupash, gjë që ishte e vështirë për Zelensky-n ta pranonte. Ai nuk mund ta pranojë që sovraniteti i mbështetur në planin amerikan mund të sfidohet rëndë nga një kufizim në forcat e armatosura.
Që nga dje, duket se ka mbizotëruar një kompromis: mbajtja e një limiti, por deri në 800 000 ushtarë.
Ideja duket se ka fituar terren edhe midis zyrtarëve më të pavendosur ukrainas, por, përballë një numri maksimal trupash dhe ndoshta edhe një kufizimi në armët në arsenalet e Ukrainës, Perëndimi duhet ta sigurojë Kievin për sigurinë e saj në të ardhmen.
Paqe dinjitoze
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky këmbënguli për një “paqe dinjitoze” për vendin e tij, pas një takimi në Kiev me një zyrtar të lartë amerikan, Sekretarin e Ushtrisë Daniel Driscoll, i cili paraqiti planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund pushtimit rus. /os/