E Hënë, 2 Nëntor 2026

Monodrama “Një grua për shtëpi”, reflektim mbi dhunën me bazë gjinore

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Në Teatrin e Korçës u zhvillua sot aktiviteti sensibilizues në kuadër të fushatës “Jo Martesa të Hershme”, pjesë e nismës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Familje me Bazë Gjinore”.

Me rastin e kësaj nisme për herë të parë për publikun korçar u shfaq premiera e monodramës “Një grua për shtëpi”, një vepër e fuqishme që përmes artit ngre zërin kundër martesave të hershme dhe çdo forme dhune me bazë gjinore.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo në një postim në rrjetet sociale tha se “Korça do të vijojë të jetë zë i fortë për mbrojtjen e vajzave dhe grave dhe për ndërtimin e një komuniteti më të sigurt, më të drejtë dhe më të ndërgjegjshëm”.

Monodrama “Një grua për shtëpi”, e bazuar në tekstin e Franca Rame, sjell në skenë historitë e grave, martesat e hershme dhe pritshmëritë e padrejta që shoqëria vendos mbi to.

Një bashkëshorte, nënë, bijë, viktimë, të mbijetuar.

Një aktore, shumë zëra, një histori që të detyron të reflektosh mbi dhunën me bazë gjinore dhe rolet që shoqëria u imponon grave dhe vajzave.

Ky aktivitet u organizua nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues (UNFPA) dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Fushata “16 Ditët e Aktivizmit” vjen si një apel i fortë për zero tolerancë ndaj dhunës dhe një angazhim i përbashkët për të ndërtuar një komunitet më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë, veçanërisht për gratë dhe vajzat.

1 nga 4

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›