E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – MSF: Gaza është shndërruar në një varr masiv për palestinezët

GJENEVË, 16 prill /ATSH-AFP/ – Gaza është shndërruar në një varr masiv për palestinezët dhe ata që i ndihmojnë ata, tha sot OJQ-ja ”Mjekët pa Kufij” (MSF), pas operacioneve ushtarake dhe bllokadës së vendosur nga Izraeli për ndihmën humanitare.

“Ne jemi dëshmitarë në kohë reale të shkatërrimit dhe zhvendosjes së detyruar të të gjithë popullsisë së Gazës”, tha Amande Bazerolle, koordinatorja e urgjencës së MSF në Gaza, e cila beson se përgjigjja humanitare “është e penguar rëndë nga pasiguria e vazhdueshme dhe mungesat kritike”.

”Një seri sulmesh vdekjeprurëse nga forcat izraelite demonstron një mospërfillje të hapur për sigurinë e punonjësve humanitarë dhe mjekësorë në Gaza”, akuzon organizata, 11 prej stafit të së cilës janë vrarë që nga fillimi i luftës në territorin e ngushtë palestinez.

”Ne u bëjmë thirrje autoriteteve izraelite që të heqin menjëherë rrethimin çnjerëzor dhe vdekjeprurës të vendosur në Gaza, për të mbrojtur jetët e palestinezëve, si dhe ato të personelit humanitar dhe mjekësor, dhe të punojnë me të gjitha palët për të rivendosur dhe mbajtur një armëpushim”, vazhdoi MSF-ja në deklaratën e saj.

Pas një armëpushimi dy mujor, Izraeli rifilloi bombardimet ajrore dhe një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës më 18 mars, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që tha se presioni i shtuar ushtarak ishte mënyra e vetme për të detyruar Hamasin të kthente pengjet.

”Izraeli po pengon gjithashtu hyrjen e çdo ndihme humanitare në territor dhe”, sipas MSF, ”rezervat e ushqimit, karburantit dhe ilaçeve kanë mbaruar”.

MSF-ja është veçanërisht e shqetësuar për mungesën e ilaçeve për trajtimin e dhimbjeve dhe sëmundjeve kronike, antibiotikëve dhe pajisjeve thelbësore kirurgjikale./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›