FOKUS – Macron: I përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

PARIS, 29 gusht /ATSH/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se do të mbetet i përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas koha.net.
Ai e sheh këtë si të vetmen rrugë.
Me anë të një letre, të publikuar në gazetën liberale serbe ”Danas” ai i bëri thirrje Serbisë dhe të rinjve në Serbi që të zgjedhin paqen.
”Në vitin 2019, kur fola për çështjen e Kosovës, fola me guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Të bindur se ky guxim ekziston në Serbi, ne së bashku me Gjermaninë dhe partnerët tanë evropianë, me mbështetjen e SHBA-së donim për të ndihmuar rajonin të shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura, tensionet në rritje, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht pakica serbe në Kosovë. Rruga që propozuam drejt normalizimit të nevojshëm ruan thelbin, pra mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë”, shkruan Macron.
”Serbia të zgjedhë paqen dhe të zgjedhë të ardhmen. Unë personalisht do të mbetem i përkushtuar, pasi jam i sigurt se BE-ja në tërësi do të mbetet, për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe para së gjithash për krijimin e një komuniteti komunash me shumicë serbe”, thuhet në mesazhin e Macron.
Macron deklaroi edhe se nxiste vendin ballkanik drejt një të ardhmeje në BE, sipas AP.
Në këtë letër ai përmend “shqetësimet dhe lodhjen mbi ritmin e bisedimeve të pranimit, por edhe ndonjëherë një lloj pakënaqësie, madje edhe mosbesimi ndaj BE-së”.
”Serbia ka nevojë për një Bashkim Evropian të fortë dhe sovran për të mbrojtur dhe promovuar interesat e veta në respekt të identitetit”, tha Macron në letrën e botuar në gazetën liberale ”Danas”./ a.jor.