FOKUS – Metsola: Т’i shtrijmë dorën Ballkanit Perëndimor, të cilit për një kohë të gjatë i është mohuar përparimi

BRUKSEL, 16 korrik /ATSH/ – Duhet të jemi të gatshëm të shtrijmë dorën e Evropës për njerëzit që na shikojnë në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji dhe për të gjithë ata në Ballkanin Perëndimor, të cilëve u është mohuar përparimi për shumë kohë, deklaroi sot Roberta Metsola, në një fjalim para deputetëve, pas rizgjedhjes së saj në postin e kryetares së Parlamentit Evropian, sipas https://www.europarl.europa.eu/.
”Kjo është diplomacia parlamentare që do të jetë thelbësore teksa ne mbrojmë multilateralizmin dhe përgatitemi për zgjerimin e Bashkimit tonë Evropian. Ndërsa njerëzit na shikojnë në Ukrainë, në Moldavi, në Gjeorgji, për të gjithë ata në Ballkanin Perëndimor të cilëve u është mohuar përparimi për një kohë të gjatë, ne duhet të jemi gati të shtrijmë dorën e Evropës, pasi secili prej tyre ndjek rrugët e veta me meritë, që respekton kriteret e nevojshme”, deklaroi Metsola.
”Ne duhet të jemi gati të përballemi me këtë botë të re dhe këtë realitet të ri. Dhe së bashku do të jemi gati. Për të ripërtërirë angazhimin tonë ndaj Evropës, ne duhet – sipas fjalëve të atij shenjtori të madh evropian nga Krakovi – Karol Wojtyła – “të mos kemi frikë”, shtoi ajo.
”Në vitin 2016, rabini Jonathan Sacks shkroi se ‘një politikë e shpresës është e arritshme. Por për ta krijuar atë, ne do të duhet të gjejmë mënyra për të forcuar familjet dhe komunitetet, për të ndërtuar një kulturë të përgjegjësisë kolektive dhe për të këmbëngulur në një ekonomi të së mirës së përbashkët. Kjo nuk është më çështje e politikës partiake. Bëhet fjalë për vetë qëndrueshmërinë e lirisë, për të cilën u luftua aq shumë. Ne duhet të ndërtojmë një rrëfim bindës të shpresës që na flet të gjithëve, jo disave prej nesh. Koha për të filluar është tani”, theksoi Metsola./ a.jor.