FRANCË – Macron pranon dorëheqjen e kryeministrit, qeveria mbetet në rolin kujdestar

PARIS, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti francez Emmanuel Macron do të mbajë në detyrë kabinetin aktual të kryeministrit Gabriel Attal, por vetëm në cilësinë e kujdestarit deri në emërimin e një qeverie të re, njoftoi sot Pallati Élysée.
Presidenti francez pranoi dorëheqjen e Attal, të cilën ai e dorëzoi më shumë se një javë më parë pas humbjes së kampit qendror të Macron në zgjedhjet parlamentare.
Ai më pas i kërkoi Attalit dhe qeverisë që të vazhdojnë detyrat e tyre derisa të emërohet një qeveri e re. Kjo periudhë kalimtare mund të zgjasë disa javë dhe të paktën deri në fund të Lojërave Olimpike, thanë ministrat që morën pjesë në takim, sipas raporteve të mediave franceze.
Macron fillimisht kishte refuzuar kërkesën e Attal për të dhënë dorëheqjen, duke përmendur “stabilitetin e vendit”.
Qeveria e përkohshme nuk mund të iniciojë asnjë projekt apo ligj të ri. Megjithatë, për shkak të situatës aktuale të paqartë politike, ajo gjithashtu nuk mund të rrëzohet me një votë mosbesimi.
17 ministrat që fituan një vend në parlament në zgjedhje, tani do të mund të votojnë për shpërndarjen e posteve drejtuese në seancën inauguruese të Asamblesë Kombëtare të enjten.
Në mbledhjen e kabinetit, Macron i bëri thirrje grupimit të tij politik që të paraqesë një propozim për një koalicion qeverisës ose bashkëpunim, sipas raporteve nga pjesëmarrësit. Megjithatë, aleanca e Macron doli e dyta në zgjedhjet parlamentare.
Aleanca fitimtare e krahut të majtë e bashkuar në Frontin e Ri Popullor (NFP), të cilit Macron i kishte bërë thirrje për të formuar një qeveri, tani është në prag të një ndarjeje. Në kërkim të një kandidati për postin e kryeministrit, blloku është përçarë.
Macron nuk ka një afat kohor për emërimin e një kryeministri të ri. Ngërçi, i cili e dënon Francën në një bllokim politik, mund të zgjasë për ca kohë.
Shpërndarja e parlamentit dhe zgjedhje të reja nuk janë të mundshme edhe për një vit./ /os/