E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Mungesa e ushtarëve vazhdon ta mundojë Ukrainën në vitin e pestë të luftës

KIEV, 30 prill /ATSH/ – Të shtënat me armë zjarri jehuan midis trafikut të bllokuar të mesditës, duke shkaktuar panik tek kalimtarët në një rrugë të ngarkuar në qytetin port të Ukrainës në Detin e Zi, Odesa.

Burra të maskuar dhe me jelekë antiplumb i nxorën disa burra të tjerë nga një minibus i bardhë, i hodhën në trotuar dhe i arrestuan.

Burrat e maskuar ishin pjesëtarë të agjencisë kryesore të sigurisë së Ukrainës, SBU. Njerëzit që po ndaloheshin ishin nga zyra rajonale e rekrutimit ushtarak, e cila është përgjegjëse për gjetjen e burrave që e shmangin thirrjen në ushtri, dhe të atyre që e shpërfillin thirrjen për të luftuar në vijën e frontit.

Arrestimet më 21 prill ishin pjesë e një operacioni të organizuar, thanë autoritetet, për kapjen e rekrutuesve të korruptuar që kërkonin ryshfete dhe shantazhonin njerëz që nuk donin të regjistroheshin, ose nuk kishin të drejtë të regjistroheshin në ushtri.

Dhe, ky nuk është aspak rast i izoluar.

Më shumë se katër vjet pas fillimit të luftës së plotë nga Rusia, mbrojtja e Ukrainës, sa i përket burimeve njerëzore, vazhdon të jetë e mangët. Kievi ka bërë përpjekje për disa vite të krijojë një sistem më të mirë për të nxitur, tërhequr dhe rekrutuar njerëz për të shërbyer, qoftë në vijën e frontit apo në role të tjera.

Kjo mbetet sfidë e madhe për të. E korrupsioni mes rekrutuesve po e bën edhe më të vështirë.

“Nga njëra anë, të gjithë thonë se duhet të luftojmë deri në fitore, por nga ana tjetër, të gjithë po ikin nga mobilizimi”, u ankua këtë muaj Kyrylo Budanov, ish-shef i inteligjencës ushtarake të Ukrainës.

“Ky është problem i madh, i jashtëzakonshëm”, vlërësoi ai.

“Luftërat nuk fitohen pa njerëz. Pa njerëz, luftërat humben dhe kjo ndodh. Por, të fitosh pa njerëz, kjo thjesht nuk ndodh”, tha Budanov në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve, Ukrinform.

“Qeveria ukrainase ka tentuar të përmirësojë imazhin e sistemit të rekrutimit, por duhet bërë më shumë punë”, thuhet në një analizë të publikuar muajin e kaluar nga Carnegie Endoëment for International Peace.

“Receta kryesore për ryshfet dhe korrupsion është mungesa e vullnetit të një pjese të konsiderueshme të qytetarëve për të përmbushur detyrën kushtetuese për ta mbrojtur shtetin, nëse kanë mundësi financiare për ta shmangur këtë”, tha Viktor Kevlyuk, analist ushtarak në Qendrën për Strategji të Mbrojtjes në Kiev dhe bashkautor i analizës.

“Djemtë tanë janë në vijën e frontit dhe dikush duhet t’i zëvendësojë”

Në javët pas pushtimit të plotë në shkurt 2022, Ukraina arriti të ndalojë atë që shumëkush e kishte parashikuar si një fitore të lehtë për ushtrinë ruse, duke përdorur guximin, aftësitë dhe trimërinë, si dhe paaftësinë e disa komandantëve rusë.

Forcat ukrainase arritën t’i kryejnë dy kundërofensiva të suksesshme në fund të vitit 2022, duke i detyruar trupat ruse të tërhiqen.

Derisa lufta vazhdoi, Rusia e shfrytëzoi të qenet më e madhe dhe bazën më të thellë të mbrojtjes për dërguar më shumë njerëz në luftë.

Një urdhër mobilizimi i pjesshëm në shtator 2022 solli dhjetëra mijëra burra në vijën e frontit. Autoritetet krijuan një sistem të përzier rekrutimi, që përfshinte paga dhe përfitime të jashtëzakonshme, të financuara nga buxhetet federale dhe rajonale.

Kjo bëri që të dërgoheshin rregullisht burra drejt frontit, ndërsa shkalla e humbjeve ishte tronditëse.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës perëndimore dhe ekspertëve, humbjet e Rusisë po i afrohen shifrës prej 1.5 milion të vrarë dhe të plagosur, një numër marramendës që tejkalon humbjet që Moska ka pësuar në të gjitha luftërat që nga viti 1945.

Ndërkohë, Ukraina besohet të ketë mbi 500.000 të vrarë dhe të plagosur, që është një problem edhe më i madh për shkak të popullsisë më të vogël.

“Djemtë tanë janë në vijën e frontit dhe duhet të zëvendësohen nga dikush”, tha Budanov, tani shef i stafit të presidentit Volodymyr Zelensky. “Ata që shmangin shërbimin nuk e kuptojnë këtë”.

Zyrtarët kanë pasur vështirësi ta përmirësojnë sistemin për joshjen dhe mbajtjen e ushtarëve. Në prill 2024, Zelensky e nënshkroi një ligj që uli moshën minimale për mobilizim dhe kërkoi që të gjithë burrat t’i përditësojnë të dhënat e tyre ushtarake.

Ligji gjithashtu rriti pagesat për vullnetarët dhe lejoi që disa të dënuar me burgim të shërbejnë.

Vitin e kaluar, autoritetet shpallën stimuj që përfshijnë bonuse në para, kredi të subvencionuara për banesa, arsim universitar falas dhe të drejtën për të udhëtuar jashtë vendit pas përfundimit të shërbimit, shkruan REL.    /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›