FOKUS – Scholz: Refugjatët ukrainas të gjejnë punë ose të kthehen në shtëpi

BERLIN, 4 dhjetor /ATSH–DPA/ – Kancelari gjerman, Olaf Scholz deklaroi se refugjatët ukrainas të papunë duhet të nxiten të gjejnë punë, pasi në të kundërt duhet të kthehen në vendin e tyre.
”Shumë prej tyre kanë qenë këtu për kaq shumë kohë, si të thuash…, por ata duhet të fillojnë tani të punojnë”, u tha Scholz ligjvënësve në Bundestag.
”Gjermania duhet të sigurojë që sa më shumë ukrainas dhe refugjatë të tjerë të kërkojnë punë, pasi të mësojnë gjermanishten dhe masa të tjera integruese. Sukseset e mëparshme me programin e ashtuquajtur ‘punë turbo’ të qeverisë nuk kanë mjaftuar”, argumentoi Scholz.
Dy ditë pas vizitës së tij në Kiev, Scholz tha se kishte folur gjatë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për këtë çështje.
Scholz raportoi se Zelensky synon të ndihmojë në krijimin e një autoriteti ukrainas në Gjermani dhe Poloni për të mbështetur ukrainasit në gjetjen e punës ose kthimin në shtëpi.
Autoritetet e Kievit e kanë riemëruar Ministrinë e Riintegrimit, e cila është përgjegjëse për ndihmën e ukrainasve të kthyer, në Ministrinë e Unitetit Kombëtar.
Ukraina po mbrohet nga një pushtim rus prej më shumë se dy vitesh e gjysmë, me ndihmën e Perëndimit.
Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth shtatë milionë ukrainas kanë ikur jashtë vendit.
Më shumë se një milion prej tyre, kryesisht gra me fëmijë, janë në Gjermani.
Mbi 260 000 refugjatë ukrainas kanë tashmë një punë./ /os/