E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Negociatorët takohen në Romë për të rinisur bisedimet e armëpushimit në Gazë

TEL AVIV, 29 korrik /ATSH-DPA/- David Barnea, kreu i agjencisë së shërbimeve sekrete izraelite “Mossad” udhëtoi në kryeqytetin italian, Romë për bisedime indirekte në lidhje me një armëpushim në konfliktin e Gazës.

“Barnea u kthye në Izrael, por bisedimet për çështjet kryesore janë vendosur të vazhdojnë në ditët në vijim”, tha zyra e kryeministrit izraelit, pa dhënë detaje.

“Kreu i “Mossad” u takua me shefin e CIA-s, William Burns, kryeministrin e Katarit Mohammed bin Abdulrahman dhe ministrin e inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel në kryeqytetin italian”, njoftoi më herët një zyrtar izraelit.

Bisedimet për armëpushim, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, kanë ngecur prej disa muajsh.

Që nga maji, diskutimet janë përqendruar rreth një plani shumëfazor të propozuar nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili synon të arrijë një armëpushim të përhershëm në konfliktin e Gazës.

Për më tepër, pengjet e mbajtura nga Hamasi do të shkëmbehen me të burgosur palestinezë në burgjet izraelite.

Faza e parë e planit të Biden parashikon një armëpushim që zgjat rreth gjashtë javë. Gjatë kësaj periudhe do të liroheshin një grup pengjesh.

Sipas akuzave izraelite, Hamasi mban 115 pengje, megjithëse shumë besohet se janë të vdekur. Në këmbim, palestinezët e burgosur në Izrael do të liroheshin.

Në fazën tjetër, luftimet do të pushonin përgjithmonë dhe pengjet e mbetura do të liroheshin.

Në fazën përfundimtare, sipas propozimit, do të fillonte rindërtimi i Rripit të Gazës.

Lufta e Gazës u shkaktua nga masakra e paprecedentë më 7 tetor të vitit të kaluar – ku u vranë më shumë se 1200 njerëz nga militantët e Hamasit dhe grupet e tjera në Izrael.

Izraeli u përgjigj me sulme masive ajrore dhe një ofensivë të madhe tokësore. Autoritetet e Hamasit raportuan se rreth 39 000 njerëz – kryesisht civilë – janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›