IZRAEL – Kabineti i Sigurisë miraton operacionin hakmarrës kundër Hezbollahut

TEL AVIV, 29 korrik /ATSH-DPA/- Qeveria izraelite po përgatitet për një operacion hakmarrës kundër Hezbollahut në Liban – pas sulmit shkatërrues me raketa dje në Golan të pushtuara nga Izraeli, ku u vranë të paktën 12 fëmijë.
“Pas më shumë se katër orë konsultimesh, Kabineti i Sigurisë autorizoi kryeministrin, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant “të vendosin për mënyrën dhe kohën e veprimit kundër organizatës terroriste Hezbollah”, tha zyra e Netanyahut.
Më herët qeveria izraelite kërcënoi milicinë pro-iraniane, duke thënë se ata do të paguanin shtrenjtë.
Ndërsa tensionet rriten – dhe udhëheqësit perëndimorë paralajmërojnë për rrezikun e zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme – Hezbollah tha se po përgatitet për një sulm ndoshta të ashpër nga pala izraelite.
Linja ajrore libaneze “Middle East Airlines” njoftoi dje në mbrëmje se po shtynte kthimin e disa prej fluturimeve të saj.
“Lufthansa” njoftoi sot se ka anuluar fluturimet drejt kryeqytetit libanez, Bejrut.
Të gjitha fluturimet janë pezulluar deri në 5 gusht. Kompanitë e prekura janë SWISS, Lufthansa dhe Eurowings.
Fillimisht, anulimet ishin planifikuar vetëm deri këtë të martë.
Ministri i Zyrës së Kabinetit të Britanisë së Madhe, Pat McFadden paralajmëroi se një përshkallëzim midis Izraelit dhe Hezbollahut mund ishte “shumë më serioz” sesa lufta në Gazë. //a.i/