FOKUS – OKB: Mbi 600 fëmijë të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës

NJU JORK, 1 qershor /ATSH-ANSA/ – Më shumë se 600 fëmijë janë vrarë dhe 1 420 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus, njoftoi koordinatorja humanitare e Kombeve të Bashkuara për vendin, Denise Brown, duke cituar të dhënat nga Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Numri i ri i organizatës, i shpallur dje, është më i lartë se ai i shpallur mëngjesin e sotëm nga Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës, sipas së cilës 550 fëmijë kanë vdekur në vend që nga shkurti i vitit 2022 dhe 1 364 të tjerë janë plagosur.
“Vala më e fundit e sulmeve ruse në rajonin e Kharkivit nxjerr në pah koston e tmerrshme të luftës dhe tmerret me të cilat po përballen fëmijët ukrainas”, vazhdoi Brown.
“Shumë janë vrarë ose janë plagosur dhe mijëra u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre pa asgjë, përveç rrobave në shpinë dhe stresit të thellë të dëshmisë së një situate vërtet të tmerrshme”, thekson ajo.
Që nga fillimi i luftës fëmijët ukrainas kanë kaluar rreth 3 000-5 000 orë (ekuivalente me katër deri në shtatë muaj) në strehimoret e sulmeve ajrore dhe kjo u ka shkaktuar atyre stres dhe ua ka bërë jetën jashtëzakonisht të vështirë.
Sipas Kombeve të Bashkuara, armiqësitë në Ukrainë vazhdojnë të shkaktojnë “dëm të madh fizik, psikologjik dhe emocional tek fëmijët, duke prishur jetën e tyre dhe duke kompromentuar të ardhmen e tyre”.
Për më tepër, lufta ndikoi seriozisht sistemin arsimor në Ukrainë.
Shkatërrimi i vazhdueshëm i ndërtesave shkollore në shumë zona të vendit po detyron shumë shkolla të miratojnë mësime online.
Në vitin aktual shkollor, pothuajse një milion fëmijë, një e katërta e të gjithë fëmijëve ukrainas që ndjekin shkollën, nuk ishin në gjendje të ndiqnin mësimet në klasë.
Paralajmërimet e shpeshta të sulmeve ajrore dhe ndërprerjet e energjisë elektrike kanë ndërprerë më tej arsimimin e tyre duke çuar në humbje të konsiderueshme të mësimit dhe pasoja afatgjata për zhvillimin e fëmijëve ukrainas./ a.jor.