E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Protesta në të gjithë Izraelin kundër zgjerimit të luftimeve në Gazë

TEL AVIV, 7 gusht /ATSH-DPA/- Në të gjithë Izraelin u zhvilluan sot protesta kundër zgjerimit të planifikuar të luftimeve në Rripin e Gazës nga qeveria, ndërsa Kabineti i Sigurisë i vendit mblidhet për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm në konfliktin 22-mujor.

Në Jerusalem, demonstruesit u mblodhën para rezidencës zyrtare të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Ata kërkuan një marrëveshje për lirimin e pengjeve që mbahen ende në Gazë.

Sipas një raporti nga agjencia e lajmeve “ynet”, nëna e një pengu tha: “Qeveria duhet të diskutojë në tryezë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i sillte të 50 pengjet në shtëpi – në mënyrë që t’i jepet fund luftës”.

Një tjetër demonstrues tha: “Zgjerimi i luftimeve është një rrezik vdekjeprurës”.

Njerëz të shumtë u mblodhën gjithashtu në metropolin bregdetar të Tel Avivit.

Demonstruesit ndezën një zjarr të madh para selisë së partisë “Likud” të Netanyahut, duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve në Gazë.

Rreth 50 pengje mbahen nga grupi militant palestinez “Hamas” në Gazë – nga të cilët besohet se rreth 20 janë ende gjallë.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›