E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Putin: Patëm mirëkuptim me Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

SHANGAI, 1 shtator /ATSH/ – Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Alaska muajin e kaluar, arriti të kishte një mirëkuptim për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, shkruan BBC.

Por presidenti Putin, nuk tha nëse ‘’do të pranonte bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky’’.

Duke folur në samitin që po mbahet në Kinë, Putin vazhdoi ”të mbronte vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën, duke fajësuar përsëri Perëndimin për luftën”.

Pas takimit në Alaskë, i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff tha se ‘’Putin kishte pranuar garanci sigurie për Ukrainën si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje në të ardhmen’’, megjithëse Moska ende nuk e ka konfirmuar këtë.

Putin i bëri këto deklarata në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ku u takua me presidentët Xi Jinping dhe Narendra Modi.

Ai falënderoi udhëheqësit kinezë dhe indianë për mbështetjen dhe përpjekjet e tyre për të “lehtësuar zgjidhjen e krizës ukrainase”.

Kina dhe India janë blerësit më të mëdhenj të naftës bruto ruse, duke marrë kritika nga Perëndimi, i cili i akuzon ata se mbështesin ekonominë ruse, e cila është goditur rëndë nga përpjekjet e luftës.

Në fjalimin e tij, Putin deklaroi gjithashtu se “mirëkuptimet e arritura gjatë takimit me Trump në Alaska shpresojmë që, duke lëvizur në këtë drejtim, hapin rrugën për paqe në Ukrainë”.

Në të njëjtën kohë, ai përsëriti pikëpamjen e tij se “kjo krizë nuk u shkaktua nga sulmi rus ndaj Ukrainës, por ishte rezultat i një grushti shteti në Ukrainë, i mbështetur dhe i provokuar nga Perëndimi”.

Ai gjithashtu ia atribuoi luftën “përpjekjeve të vazhdueshme të Perëndimit për të tërhequr Ukrainën në NATO”.

Presidenti rus gjithmonë e ka kundërshtuar idenë e Ukrainës që t’i bashkohet aleancës ushtarake perëndimore.

Në vitin 2014, Putin pushtoi Krimenë dhe aleatët e tij rusë morën pjesë të Ukrainës lindore. Vite më vonë, në shkurt 2022, Putin urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia.

Komentet e fundit të Putinit vijnë vetëm disa ditë pasi Rusia nisi sulmin e saj të dytë më të madh ajror kundër Ukrainës në luftë.

Të premten, presidenti francez Emmanuel Macron tha se ‘’Putin do të duhej të përmbushte afatin e së hënës të Trump për të rënë dakord për bisedime paqeje me Zelenskyn’’.

‘’Nëse udhëheqësi rus nuk pajtohet, kjo do të tregonte edhe një herë se presidenti Putin ka luajtur me presidentin Trump”, theksoi Macron.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›