FOKUS – Rubio shkon në takimin e ministrave të NATO-s i zhgënjyer nga aleanca

HELSINBORG, 21 maj /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi para nisjes për takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Suedi se nuk duhet të jetë surprizë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Donald Trump janë aktualisht shumë të zhgënjyer me aleancën dhe me atë që ajo përfaqëson.
Rubio theksoi veçanërisht pakënaqësinë e Uashingtonit ndaj vendeve si Spanja, të cilat kanë refuzuar përdorimin e bazave ushtarake për operacionet kundër Iranit.
Sipas tij, anëtarësimi i SHBA-së në një aleancë duhet të ketë vlerë konkrete për interesat amerikane dhe një nga elementët kryesorë të kësaj vlere janë bazat ushtarake amerikane në Evropë, që i mundësojnë Uashingtonit të projektojë fuqi ushtarake në raste krizash në Lindjen e Mesme ose rajone të tjera.
“Nëse vende si Spanja na mohojnë përdorimin e këtyre bazave, atëherë lind pyetja pse janë pjesë e NATO-s. Kjo është një pyetje shumë e drejtë”, tha Rubio në një intervistë të publikuar në YouTube.
Ai shtoi se disa vende të tjera të aleancës kanë qenë shumë bashkëpunuese, pa i përmendur me emër, por theksoi se situata kërkon diskutim të hapur mes aleatëve.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të mblidhen nesër në Helsingborg për të përgatitur samitin veror të aleancës, i cili pritet të zhvillohet në Turqi.
Takimi zhvillohet në një atmosferë të tensionuar për shkak të dallimeve transatlantike lidhur me luftën kundër Iranit.
Administrata Trump është e pakënaqur me faktin që shumica e aleatëve evropianë nuk e mbështesin ose e mbështesin vetëm pjesërisht qasjen amerikane ndaj republikës islamike.
Së fundmi, SHBA-ja njoftoi tërheqjen e rreth 5 000 ushtarëve nga Evropa pas komenteve kritike të kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe vendosi të pezullojë, të paktën për momentin, planet për vendosjen e raketave me rreze të mesme veprimi në Gjermani./ /Ad.Ab./ a.jor.