E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Rusia forcon mbrojtjen ajrore pranë Baltikut pas sulmeve ukrainase

MOSKË, 17 prill /ATSH-AFP/ – Rusia do të forcojë mbrojtjen kundërajrore në objekte të rëndësishme  në rajonin e Shën Petërburgut, në brigjet e detit Baltik, njoftoi sot guvernatori rajonal, pas sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike dhe portuale.

“Është vendosur të forcohet mbrojtja e hapësirës ajrore të rajonit kundër sulmeve me dronë”, deklaroi guvernatori Alexander Drozdenko në Telegram, pas një takimi me autoritetet dhe drejtues të infrastrukturave kyçe.

Sipas tij, grupe të reja lëvizëse të mbrojtjes ajrore do të vendosen rreth ndërmarrjeve dhe objekteve strategjike. Këto njësi pritet të përbëhen nga rezervistë vullnetarë, të cilëve do t’u ofrohen kontrata trevjeçare.

Dy porte të rëndësishme të rajonit të Shën Petërburgut, ai i Ust-Lugas dhe Primorskut, kyçe për eksportet ruse të plehrave kimike, naftës dhe qymyrit, kanë qenë objekt i sulmeve të përsëritura me dronë nga Ukraina kohët e fundit.

Sipas përllogaritjeve të Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA), një institut i pavarur me bazë në Helsinki, ngarkesat e naftës në këto porte janë përgjysmuar gjatë javës pas një sulmi me dronë më 23 mars, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ukraina synon të dobësojë burimet e hidrokarbureve me të cilat Moska financon ofensivën e saj në shkallë të gjerë në Ukrainë, që vazhdon prej më shumë se katër vitesh.

Këto sulme janë shtuar në një kohë kur lufta në Lindjen e Mesme ka shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë, çka mund të ndihmojë në rritjen e të ardhurave të shtetit rus. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›