FOKUS – SHBA: Zgjidhje diplomatike mes Izraelit dhe Hezbollahut

UASHINGTON, 29 korrik /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë thirrje për një zgjidhje diplomatike për tensionet në rritje midis Izraelit dhe Hezbollahut libanez, të mbështetur nga Irani.
“Ne besojmë se ka ende kohë dhe hapësirë për një zgjidhje diplomatike”, tha këshilltari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby, ndërsa Izraeli përgatitej t’i përgjigjej sulmit në Lartësitë Golan që vrau të paktën 12 fëmijë dhe të rinj në fundjavë.
Kirby tha se ”Shtetet e Bashkuara nuk duan që lufta e Izraelit kundër grupit islamik palestinez Hamas në Rripin e Gazës të “përshkallëzohet”.
“Ne nuk duam që një front i dytë të hapet në veri. Qeveria e SHBA mbajti bisedime intensive me lojtarë të ndryshëm gjatë fundjavës. Bazuar në diskutimet që kemi pasur, ne nuk besojmë se kjo duhet të çojë në përshkallëzim ose një luftë më të gjerë”, theksoi Kirby./ /os/