E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA i shet Tajvanit armë me vlerë 11 miliardë dollarë

UASHINGTON, 18 dhjetor /ATSH/ – Administrata e presidentit, Donald Trump ka njoftuar një paketë të madhe armësh për Tajvanin, me vlerë rreth 11 miliardë dollarë që përfshin lëshues raketash të avancuara, topa të vetëlëvizshëm dhe një game të ndryshme raketash, sipas Reuters.

Kjo paketë, që ende duhet të miratohet nga Kongresi Amerikan, do të jetë shitja e dytë e armëve për Tajvanin që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar.

Kina, e cila sheh Tajvanin e vetëqeverisur si një provincë të ndarë, e dënoi këtë vendim, duke thënë se minon rëndë sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Kinës.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit falënderoi SHBA-në dhe tha se marrëveshja do të ndihmojë ishullin në ndërtimin e shpejtë të aftësive të forta mbrojtëse.

SHBA-ja ka lidhje zyrtare me Pekinin dhe jo me Tajvanin, dhe ka lëvizur me kujdes diplomatik për dekada.

Megjithatë, ajo mbetet një aleate e fuqishme e Tajvanit dhe furnizuesja më e madhe e armëve për ishullin.

Shitja e fundit e armëve ka zemëruar Pekinin, i cili në vitet e fundit ka shtuar presionin mbi Tajvanin me ushtrime ushtarake dhe shkelje të rregullta në ujërat dhe hapësirën ajrore të tij.

”Përpjekja e SHBA-së për të mbështetur pavarësinë me forcë vetëm do të kthehet kundër tyre, dhe përpjekja për të kufizuar Kinën duke përdorur Tajvanin absolutisht nuk do të ketë sukses”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun.

Gjatë mandatit të tij të parë, presidenti Trump kishte miratuar shitje armësh për Tajvanin me vlerë totale 18,3 miliardë dollarë.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se kjo marrëveshje shërben për interesat e Uashingtonit ”duke mbështetur përpjekjet e vazhdueshme të Tajpeit për të modernizuar forcat e saj të armatosura dhe për të ruajtur një kapacitet mbrojtës të besueshëm”./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›