E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA mund të ndërpresë aksesin e Ukrainës në shërbimet e internetit “Starlink” nëse nuk arrihet marrëveshja për mineralet

UASHINGTON, 22 shkurt /ATSH/- Negociatorët amerikanë që bëjnë presion në Kiev për akses në mineralet e Ukrainës po shqyrtojnë mundësinë e ndërprerjes së aksesit të Ukrainës në sistemin jetik të internetit satelitor të Elon Musk, “Starlink”, sipas “Reuters”.

“Aksesi i vazhdueshëm i Ukrainës në “Starlink”- në pronësi të “SpaceX” – u diskutua në bisedimet midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas – pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky hodhi poshtë propozimin fillestar nga sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent”, thanë burimet.

“Starlink” ofron lidhje të rëndësishme në internet për Ukrainën e shkatërruar nga lufta dhe ushtrinë e saj.

“Çështja u ngrit sërish të enjten gjatë takimeve midis Keith Kellogg, i dërguari special i SHBA-së për Ukrainën, dhe Zelensky”, tha një burim.

“Gjatë takimit, Ukrainës iu tha se do të përballej me mbyllje të menjëhershme të shërbimit të internetit – nëse nuk arrinte një marrëveshje për mineralet”, tha burimi.

“Humbja e “Starlink”… do të ishte një goditje masive”, tha burimi.

Zelensky ka refuzuar kërkesat e administratës së presidentit Donald Trump për të shfrytëzuar mineralet e Ukrainës me vlerë 500 miliardë dollarë – për të shlyer Uashingtonin për ndihmën e dhënë gjatë luftës, duke thënë se SHBA-ja nuk ka ofruar garanci specifike sigurie.

Presidenti ukrainas tha dje se ekipet amerikane dhe ukrainase po punonin për një marrëveshje – ndërsa Trump tha se priste që marrëveshja të nënshkruhej së shpejti.

Musk ofroi “Starlink” në Ukrainë për të zëvendësuar shërbimet e komunikimit të shkatërruara nga Rusia – pas pushtimit të saj në shkurt 2022.

I konsideruar si një hero në Ukrainë, Musk e kufizoi aksesin në vitin 2022 – pasi u bë më kritik ndaj trajtimit të luftës nga Kievi.

Melinda Haring, një anëtare e lartë e Këshillit Atlantik, tha se “Starlink” ishte thelbësor për funksionimin e dronëve të Ukrainës, një shtyllë kryesore e strategjisë së saj ushtarake.

Ukraina ka një gamë të gjerë aftësish dronësh – nga dronët e detit dhe dronët e vëzhgimit deri te mjetet ajrore pa pilot me rreze të gjatë.

Ambasada e Ukrainës në Uashington, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment.

“SpaceX”, i cili operon “Starlink”, gjithashtu nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›