FOKUS – SHBA paralajmëron kundër sulmit të pritshëm iranian ndaj Izraelit

UASHINGTON, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Qeveria amerikane pret që mund të ketë sulme hakmarrëse të afërta nga Irani dhe aleatët e tij kundër Izraelit lidhur me ngjarjet e fundit, tha sot një zyrtar i lartë në Uashington.
”Shtetet e Bashkuara ndajnë vlerësimin e Izraelit se kjo mund të ndodhë këtë javë”, sipas drejtorit të komunikimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Kirby theksoi se shqetësimet e palës amerikane reflektojnë ato të izraelitëve.
”Ne duhet të jemi të përgatitur”, tha Kirby.
Për këtë arsye, SHBA-ja ka forcuar vendosjen e saj ushtarake në rajon.
Në të njëjtën kohë, Kirby paralajmëroi se askush nuk dëshiron përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.
Pas vrasjes së fundit të një komandanti ushtarak të Hezbollahut në Liban dhe një lideri të Hamasit, i cili është aleat me organizatën, në Teheran, Irani dhe Hezbollahu janë zotuar për një hakmarrje masive.
Kreu i huaj i Hamasit, Ismail Haniyeh, u vra në një shpërthim në një bujtinë të qeverisë iraniane në fund të korrikut, për të cilin Irani fajësoi Izraelin.
Forcat e armatosura të Izraelit kanë qenë në gatishmëri të lartë prej ditësh. Pas një takimi me zyrtarë të lartë ushtarakë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Izraelit, Herzi Halevi, theksoi se ushtria është e gatshme të ndërmarrë masa sulmuese dhe mbrojtëse./ a.jor.