E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA rifillon ndihmën ushtarake për Ukrainën, Kievi i hapur për një armëpushim 30-ditor

XHEDAH, 11 mars /ATSH/ – Administrata Trump hoqi pezullimin e saj të ndihmës ushtarake dhe shkëmbimit të informacioneve sekrete për Ukrainën, ndërkohë që Kievi sinjalizoi se ishte i hapur për një armëpushim 30-ditor në luftën me Rusinë, në pritje të marrëveshjes së Moskës, thanë sot zyrtarët amerikanë dhe ukrainas, pas bisedimeve në Arabinë Saudite, sipas AP.

Administrata vendosi masat një javë më parë për të shtyrë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të hyrë në bisedime për t’i dhënë fund luftës me forcat pushtuese ruse.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se SHBA-ja do t’i paraqesë Kremlinit ofertën e armëpushimit.

”Ne do t’u themi atyre se kjo është ajo që është në tryezë. Ukraina është gati të ndalojë zjarrin dhe të fillojë bisdimet. Dhe tani do të jetë në dorën e tyre të thonë po ose jo”, tha Rubio.

Njoftimet dolën pasi zyrtarë të lartë nga Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara hapën bisedimet në Arabinë Saudite të fokusuara në përfundimin e luftës trevjeçare të Moskës kundër Kievit dhe disa orë pasi Rusia rrëzoi mbi 300 dronë ukrainas.

Ky ishte sulmi më i madh i Ukrainës që kur Kremlini urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj.

Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, pritet të udhëtojë më vonë këtë javë në Moskë, ku mund të takohet me presidentin rus Vladimir Putin, sipas një personi pranë kësaj çështjeje, por jo i autorizuar për të komentuar publikisht.

Personi paralajmëroi se planifikimi mund të ndryshojë.

Gazetarët u lejuan shkurtimisht në një dhomë ku një delegacion i lartë ukrainas u takua me kryediplomatin amerikan, sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i cili buzëqeshi para kamerave dhe kur u pyet për pritshmëritë e tij për takimin, u përgjigj “pozitivisht”.

Përtej tryezës, zyrtarët ukrainas, përfshirë kryediplomatin e vendit dhe shefin e mbrojtjes, nuk treguan ndonjë shprehje të fytyrës ndërsa takimi po zhvillohej në një hotel luksoz.

Megjithatë, Andriy Yermak, ndihmësi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, u tha gazetarëve se gjëja më e rëndësishme ishte “si të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme në Ukrainë”./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›