FOKUS – SHBA zvogëlon numrin e trupave në Rumani, Bullgari, Hungari dhe Sllovaki

BUKURESHT, 29 tetor /ATSH-AFP-ANSA/ – Shtetet e Bashkuara kanë informuar Rumaninë dhe aleatët e saj se do të reduktojnë një pjesë të trupave të vendosura në frontin lindor të Evropës, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë në një deklaratë.
“Vendimi i Shteteve të Bashkuara është të pezullojë rotacionin evropian të një brigade që kishte elementë në disa vende të NATO-s”, deklaroi ministria.
”Shtetet e Bashkuara do të tërheqin afërsisht 800 trupa nga Rumania”, thanë burime zyrtare për median rumune G4Media.ro.
Sipas këtyre burimeve, njoftimi u bë të hënën brenda kuadrit zyrtar të NATO-s.
Shtetet e Bashkuara do të tërheqin gjithashtu trupat nga Bullgaria, Hungaria dhe Sllovakia.
”Ky është një vendim i Shtëpisë së Bardhë kështu që hyn në fuqi menjëherë, por teorikisht Kongresi mund ta ndryshojë atë”, shkruan media rumune.
Trupat amerikane janë të vendosura në Rumani në bazat ”Mihail Kogelniceanu”, ”Deveselu” dhe ”Campia-Turzi”.
Në total, ka afërsisht 1 000 ushtarë amerikanë në Rumani.
”Zvogëlimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë, i njoftuar sot nga Rumania, është një përshtatje që nuk do t’i pengojë forcat amerikane të mbeten më të mëdha nga sa kanë qenë për vite me radhë”, deklaroi ndërkohë një zyrtar i NATO-s.
“Edhe me këtë përshtatje, prania e forcave amerikane në Evropë mbetet më e madhe nga sa ka qenë për shumë vite, me dukshëm më shumë trupa amerikane në kontinent sesa para vitit 2022, viti i pushtimit rus të Ukrainës”, theksoi ai./ /f.k/ a.jor.