FOKUS – Siria shpall masa të ashpra kundër ISIS-it përpara vizitës së presidentit në Shtëpinë e Bardhë

DAMASKË, 9 nentor /ATSH-DPA/- Siria ka njoftuar nisjen e një fushate sigurie mbarëkombëtare kundër milicisë terroriste të Shtetit Islamik, vetëm disa ditë para vizitës historike të presidentit të përkohshëm Ahmed al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë.
Al-Sharaa do të takohet nesër me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke shënuar vizitën e parë të një lideri sirian që nga pavarësia e Sirisë në vitin 1946.
“Shërbimi i Sirisë ndaj Shtetit Islamik ka rezultuar në “neutralizimin” e një anëtari të milicisë ekstremiste dhe plagosjen e një anëtari të forcave të sigurisë qeveritare”, tha një zyrtar sirian dje në mbrëmje.
“Operacioni ishte parandalues, duke synuar qelizat e Daesh, Shtetit Islamik në rajone dhe provinca të shumta”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Siriane Noureddine al-Baba për televizionin shtetëror “al-Ikhbariya”.
Ai shtoi se fushata kishte përfshirë 61 bastisje, duke rezultuar në arrestimin e 71 të dyshuarve të Shtetit Islamik në të gjithë Sirinë.
Në vitin 2014, Shteti Islamik pushtoi zona të mëdha të Sirisë dhe Irakut fqinj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan një operacion për të luftuar grupin ekstremist, gjatë të cilit ushtria amerikane, së bashku me aleatët, kryen mijëra sulme ajrore në të dy vendet.
Shteti Islamik konsiderohet i mundur ushtarakisht, por rreth 2,500 nga operativët e tij janë ende aktivë në të dy vendet.
Gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë, al-Sharaa pritet të nënshkruajë një deklaratë, duke shtuar zyrtarisht Sirinë në një koalicion të udhëhequr nga SHBA-ja kundër Shtetit Islamik.
Në dhjetor të vitit të kaluar, al-Sharaa komandoi një aleancë rebele të udhëhequr nga islamistët që rrëzoi sundimtarin e atëhershëm të Sirisë, Bashar al-Assad, i cili strehohet në Rusi.
Të premten, SHBA-ja hoqi sanksionet që ishin vendosur ndaj al-Sharaa. Ai kishte qenë në listën e sanksioneve të SHBA-së që nga viti 2013.
Më herët, Al-Sharaa drejtoi milicinë islamike “Hayat Tahrir al-Sham” (Organizata për Çlirimin e Levantit, HTS), e cila doli nga një degë e al-Qaeda në Siri.
Që kur mori kontrollin në Siri, al-Sharaa ka qenë i etur për ta riintegruar atë në unionin ndërkombëtar dhe për të siguruar mbështetje ekonomike për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga më shumë se një dekadë luftë. /a.i/