Zgjedhjet e pjesshme, Mazniku nga Cërriku fton qytetarët të votojnë

TIRANË, 9 nëntor /ATSH / Deputeti i Partisë Socialiste, Arbjan Mazniku, u bërI thirrje qytetarëve të Cërrikut që të marrin pjesë në procesin e votimit për kryetarin e ri të bashkisë, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme lokale që po zhvillohen sot në pesë bashki të vendit.
Në një deklaratë për mediet, Mazniku u shpreh se procesi po zhvillohet normalisht dhe pa probleme, duke e cilësuar ditën e sotme si një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe zhvillimin e qytetit.
“Jemi duke kaluar një ditë të mirë për Cërrikun. Deri tani ka pasur një votim të kënaqshëm. Nga raportimet e fundit njoftohet se mbi 6 mijë qytetarë kanë shprehur vullnetin e tyre deri tani në të gjithë qëndrat e votimit. Është një ditë e qetë dhe e mirë për demokracinë shqiptare. Ftojmë qytetarët që të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre”, tha ai.
Deputeti socialist theksoi se “deri tani ka pasur pak problematika, por çdo gjë është në rrugë të mbarë”.
Mazniku vuri në dukje se, aktualisht numri i votuesve është në numra të ngjashëm me zgjedhjet e fundit. “Tipikisht në zgjedhjet vendore ka një rënie të vogël krahasuar me ato kombëtare, por deri tani jemi të kënaqur me pjesëmarrjen” shtoi ai.
Në lidhje me ndryshimet në listat e zgjedhësve, Mazniku sqaroi se në këto zgjedhje janë rikthyer në listë emigrantët, të cilët ishin hequr përkohësisht në zgjedhjet e 11 majit, kur u realizua për herë të parë votimi i diasporës.
Procesi i votimit në Cërrik po vijon në qetësi, ndërsa pjesëmarrja pritet të rritet në orët e pasdites. e.xh/a.f/