FOKUS – Spanja nis evakuimin e anijes turistike të goditur nga hantavirusi në Tenerife

MADRID, 10 maj /ATSH/- Spanja ka nisur evakuimin e pasagjerëve nga anija turistike “MS Hondius”, e goditur nga një shpërthim i rrallë i hantavirusit dhe e ankoruar pranë ishullit Tenerife në Ishujt Kanarie, raportoi BBC.
Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Mónica García, deklaroi se operacioni po zhvillohet normalisht dhe se të gjithë personat në bord vazhdojnë të jenë pa simptoma.
Pamjet nga vendngjarja treguan pasagjerët në kuvertën e anijes me maska të bardha mjekësore, ndërsa nisën evakuimet e para.
Disa prej tyre u panë të ulur në distancë nga njëri-tjetri në varkat e transportit, duke filmuar dhe fotografuar momentin e mbërritjes në tokë, ku i prisnin zyrtarë të veshur me kostume mbrojtëse biologjike.
Pasagjerët po ndahen sipas kombësisë dhe po transportohen me autobus drejt aeroportit lokal, ku avionë charter do t’i riatdhesojnë në vendet e tyre.
Pamjet nga pista e aeroportit treguan personelin shëndetësor duke u veshur pasagjerëve kostume speciale mbrojtëse dhe duke i dezinfektuar para hipjes në avion.
Sipas autoriteteve, 14 shtetas spanjollë do të jenë të parët që do të zbresin nga anija, ndërsa më pas do të largohen pasagjerët holandezë, grekë dhe gjermanë, si dhe një pjesë e ekuipazhit.
Fluturime të tjera pritet të nisen drejt Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Australisë.
Anija “Hondius” mbërriti në portin e Granadilla-s para agimit të sotëm, një muaj pasi u regjistrua viktima e parë në bord.
Në mëngjes, zona u rrethua nga patrulla policore dhe një operacion i madh sigurie nisi për të ndihmuar më shumë se 100 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi të largohen në mënyrë të kontrolluar.
Ekipet mjekësore hipën në bord rreth orës 07:00 për të kontrolluar të gjithë personat për shenja të virusit.
Autoritetet spanjolle vendosën një perimetër sigurie prej një milje detare rreth anijes, duke mos lejuar afrimin e saj në breg.
Dhjetëra specialistë të kujdesit intensiv janë vendosur në gatishmëri në spitalin “Candelaria” në Tenerife, në rast se ndonjë person nga anija shfaq simptoma serioze gjatë transferimit.
Një njësi izolimi e pajisur plotësisht me ventilatorë dhe kite testimi është përgatitur për rastet e mundshme infektive.
“Jemi absolutisht gati”, deklaroi shefja e kujdesit intensiv, Mar Martin.
“Nuk kemi parë kurrë më parë hantavirus, por është një virus me komplikacione që ne dimë t’i menaxhojmë”, shtoi ajo.
Operacioni është cilësuar si “i paprecedentë” nga autoritetet spanjolle, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po monitoron nga afër situatën.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili ndodhet në Tenerife për të mbikëqyrur operacionin, vlerësoi reagimin e autoriteteve spanjolle si “solid dhe efektiv”.
Shpërthimi lidhet me një zonë landfilli në jug të Argjentinës, e frekuentuar nga vëzhgues zogjsh.
Virusi bartet nga brejtësit dhe rrallë transmetohet nga njeriu te njeriu, megjithatë deri tani tre pasagjerë të anijes kanë humbur jetën.
Tedros u bëri thirrje qytetarëve spanjollë të mos përhapin panik, duke kujtuar traumat e pandemisë Covid-19, por theksoi se rreziku për popullatën mbetet i ulët për shkak të mënyrës së transmetimit të virusit dhe masave të marra nga autoritetet.
Megjithatë, situata ka shkaktuar tension edhe në Ishujt Kanarie.
Disa punonjës portualë protestuan për masat e sigurisë, ndërsa presidenti i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, paralajmëroi fillimisht se mund të refuzonte hyrjen e anijes në port, duke ngritur shqetësime për mundësinë që brejtës të infektuar të dilnin nga anija.
Më vonë, autoritetet shëndetësore siguruan se një skenar i tillë “nuk përbënte një rrezik real”.
Për shumicën e pasagjerëve, evakuimi shënon fundin e javëve të gjata të frikës dhe pasigurisë në det.
Megjithatë, tani ata përballen me javë të tëra karantine dhe monitorimi shëndetësor. //a.i/