TEHERAN – Irani i përgjigjet propozimit amerikan për t’i dhënë fund luftës

TEHERAN, 10 maj /ATSH/- Irani i ka dorëzuar përgjigjen e tij propozimit të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’i dhënë fund konfliktit, që ka nisur prej më shumë se dy muajsh, raportoi sot agjencia shtetërore iraniane IRNA.
Sipas medias shtetërore, përgjigjja iraniane është përcjellë përmes Pakistanit, i cili po vepron si ndërmjetës mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Burime të njohura me negociatat bëjnë të ditur se faza e parë e bisedimeve do të fokusohet ekskluzivisht në ndalimin e luftimeve dhe uljen e tensioneve në rajon.
Deri tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi përmbajtjen e përgjigjes së Iranit apo kushtet e propozuara nga palët.
Gazetari i “Al Jazeera” në Islamabad raportoi se autoritetet pakistaneze kanë konfirmuar marrjen e mesazhit iranian dhe pritet që ai t’i transmetohet zyrtarisht administratës amerikane në ditët në vijim.
Vëmendja tani është përqendruar te reagimi i Uashingtonit dhe mundësia që ky zhvillim të hapë rrugën për negociata më të gjera mbi armëpushimin dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. //a.i/