E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Starmer dhe Trump diskutojnë planin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

LONDËR, 10 prill /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik, Keir Starmer ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump mbi nevojën për një “plan praktik” për rifillimin e lëvizjes së anijeve në Ngushticën e Hormuzit, pas armëpushimit në Lindjen e Mesme.

Aktualisht, Starmer ndodhet në një vizitë zyrtare në vendet e Gjirit, ku po zhvillon takime me aleatët – për të diskutuar mënyrat për të mbështetur ndërprerjen e luftimeve dhe për të siguruar rihapjen e përhershme të kësaj rruge kyçe detare.

Ai pritet të kthehet sot në Britaninë e Madhe, pasi ka vizituar Katarin, Bahreinin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas një zëdhënësi të “Downing Street”, të dy liderët ranë dakord se, pas armëpushimit dhe marrëveshjes për hapjen e ngushticës, tani duhet kaluar në fazën e gjetjes së një zgjidhjeje konkrete për rikthimin e trafikut detar, sa më shpejt.

Starmer theksoi se anijet duhet të kenë “kalim pa tarifa” në Ngushticën e Hormuzit, mes raportimeve se Irani mund të kërkojë pagesa për tranzitin.

Ai sqaroi se për Britaninë e Madhe, një ngushticë “e hapur” do të thotë lundrim i sigurt dhe pa pengesa për të gjitha anijet.

Edhe ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper kërkoi lëvizje pa tarifa, duke paralajmëruar se rrugët tregtare nga vendet e Gjirit janë “mbajtur peng” nga Irani, duke rrezikuar ekonominë globale.

Nga ana e tij, Trump reagoi në platformën “Truth Social” duke paralajmëruar se nëse Irani vendoste tarifa për anijet cisternë që kalojnë në Hormuz, kjo duhej të ndalej menjëherë.

Një armëpushim dyjavor u arrit më herët këtë javë, ku rihapja e ngushticës ishte një kusht kyç.

Megjithatë, marrëveshja u vu në rrezik pas bombardimeve izraelite në Bejrut, që nxitën Iranin të mbyllte sërish rrugën detare për shkak të mosmarrëveshjeve mbi përfshirjen e Libanit në armëpushim.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ka autorizuar bisedime direkte me Libanin për çarmatimin e grupit “Hezbollah” dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Starmer i cilësoi sulmet izraelite ndaj Libanit si “të gabuara” dhe kërkoi përfshirjen e tij në armëpushim.

Ai gjithashtu kritikoi “gjuhën” e përdorur nga Trump ndaj Iranit, duke theksuar se nuk përputhej me vlerat britanike.

Ndërkohë, marrëdhëniet mes dy liderëve janë tensionuar javët e fundit, pasi Trump ka kritikuar Starmer për moslejimin fillestar të përdorimit të bazave ushtarake britanike nga SHBA.

Starmer ritheksoi se këto baza mund të përdoreshin vetëm për “vetëmbrojtje kolektive”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›