FOKUS – Suedia: Rusia, Kina dhe Irani kërcënimet kryesore për sigurinë kombëtare

STOKHOLM, 18 mars /ATSH/ – Sipas një raporti vjetor të publikuar sot nga Shërbimi Suedez i Sigurisë (SAPO), Rusia, Kina dhe Irani përbëjnë kërcënimet më të mëdha për Suedinë, sipas Reuters.
Autoritetet suedeze kanë paralajmëruar prej disa vitesh për rritjen e rreziqeve, veçanërisht nga Rusia, e cila po ndërmerr veprime gjithnjë e më të rrezikshme në mbështetje të luftës së saj në Ukrainë.
Këto përfshijnë edhe sulme hibride destabilizuese në vende të ndryshme të Evropës, si ndërhyrje kibernetike, dezinformim dhe aktivitete sabotimi.
Ndërkohë, edhe Irani konsiderohet prej kohësh një kërcënim serioz.
Autoritetet kanë vënë në dukje se rrjete kriminale brenda Suedisë, në një vend që prej një dekade përballet me rritje të krimit të organizuar, janë përdorur nga aktorë shtetërorë për të kryer akte të dhunshme dhe operacione të fshehta.
Shefja e Shërbimit të Sigurisë, Charlotte von Essen, theksoi se operacioni ushtarak i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, si dhe kundërpërgjigjet e Teheranit, kanë rritur rrezikun ndaj objektivave amerikane, izraelite dhe hebraike në territorin suedez.
Në raport theksohet gjithashtu se Kina po përfaqëson një kërcënim në rritje, kryesisht përmes aktiviteteve të spiunazhit ekonomik dhe teknologjik.
Autoritetet suedeze paralajmërojnë se përpjekjet për të siguruar akses në teknologji të avancuar dhe informacion të ndjeshëm janë intensifikuar, duke synuar sektorë strategjikë të ekonomisë.
Sipas SAPO-s, kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare janë bërë më komplekse dhe të ndërlidhura, duke përfshirë jo vetëm shtetet rivale, por edhe rrjete kriminale dhe aktorë të tjerë jo-shtetërorë që veprojnë në bashkëpunim me to.
Kjo situatë kërkon një qasje më të koordinuar mes institucioneve të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë./ /Ad.Ab./ a.jor.