E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Tusk bën thirrje për “respekt të ndërsjellë” mes tensioneve Poloni-Ukrainë

GDANSK, 25 qershor /ATSH-DPA/- Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk bëri thirrje për “të vërtetën” dhe “respektin e ndërsjellë” gjatë hapjes së Konferencës për Rimëkëmbjen e Ukrainës në Gdansk, e cila u zhvillua pa pjesëmarrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas një përplasjeje diplomatike mes dy vendeve aleate.

Mosmarrëveshja u shkaktua pasi Ukraina i vuri emrin e një njësie ushtarake Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase (UPA), një formacion që në Ukrainë konsiderohet simbol i luftës për pavarësi, ndërsa Polonia e akuzon për masakrat ndaj rreth 100 mijë polakëve etnikë, në rajonin e Volhinisë gjatë viteve 1943-1945.

“Ne mund ta ndërtojmë të ardhmen vetëm mbi të vërtetën, respektin e ndërsjellë dhe mirëkuptimin për historinë”, deklaroi Tusk.

Presidenti polak Karol Nawrocki e cilësoi vendimin e Ukrainës “skandaloz”, “të pakuptueshëm” dhe “thellësisht zhgënjyes”, duke theksuar se ai dëmton besimin e ndërtuar ndër vite mes dy vendeve.

Megjithatë, Nawrocki nënvizoi se kjo mosmarrëveshje nuk do të ndikojë në mbështetjen e Polonisë për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Nga ana e tij, Zelensky bëri të ditur se e kishte kthyer Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë, dekoratën më të lartë shtetërore polake që i ishte dhënë në vitin 2023.

Ai theksoi se Ukraina mbetet e hapur për dialog me Poloninë, për të shmangur interpretimet konfliktuale të historisë së përbashkët, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për mbështetjen e popullit polak.

Konferenca dyditore zhvillohet në një kohë kur  Ukraina kërkon miliarda euro ndihmë dhe investime për rindërtimin pas luftës, si edhe avancimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Delegacioni ukrainas në samit drejtohet këtë vit nga kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›