Rama i përgjigjet komentuesit: Ligji për shitjen e tokës bujqësore tek të huajt hyn në fuqi 7 vite pas anëtarësimit në BE

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj një komentuesi i cili pretendon se “qeveria ka vendosur në shitje tokën e shqiptarëve për të huajt duke cenuar sovranitetin kombëtar”.
Ndërsa ndau ligjin në fjalë, “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”, kryeministri nënvizoi faktin se ligji hyn në fuqi 7 vjet pas hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama zgjodhi vargje të Fishtës për t’iu përgjigjur komentuesit: “Po nuk ban kurr hajër Shqipnija, n’se padija dhe krenija do të shkojnë njit si trupi e hija”.
Kryeministri ndau po ashtu mesazhin e komentuesit Klajdi Bello: “…Këta gjakprishur, vijojnë me projekt ligje që vendosin në shitje tokën e shqiptarëve për pushtuesit shqipfolës e të huaj, duke cenuar drejtpërsëdrejti territorialitetin dhe Sovranitetin Kombëtar.
Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të kaloj ky ligj antikombëtar, përndryshe përshkallëzim, deri në mos bindje civile. Sot edhe më shumë. Deri në frymën e fundit…”.
Ndërkohë kryeministri theksoi se patriotët që duan të shpëtojnë Shqipërinë nuk lexojnë dot as një ligj me 10 nene.
“Paj Zotin shikojeni se kush do ju shpëtojë nga unë, një patriot që nuk lexon dot një ligj me 10 nene. Në fakt, ky është një nga projektligjet e procesit të negociatave, i cili siç mund ta lexoni hyn në fuqi 7 vjet pas hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian, kur toka mund t’u shitet pushtuesve europianë në Shqipëri, njësoj siç mund të blihet nga pushtuesit shqiptarë në Europë, sepse me hyrjen në BE Shqipëria do jetë e madhe sa BE-ja dhe BE-ja do jetë e vogël sa Shqipëria”, theksoi Rama.
/m.m/j.p/