E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Tymi nga zjarret në Kanada ndot ajrin në rajonin veri-qendror të SHBA-së

NJU JORK, 3 gusht /ATSH/- Tymi nga zjarret e Kanadasë u përhap dje mbi disa shtete (Midwestern) të vendosura në rajonin veri-qendror të SHBA-së, duke sjellë paralajmërime për ajër të pashëndetshëm për të tretën ditë radhazi, sipas AP. Alarmet për cilësinë e ajrit ishin në fuqi në Iowa, Minesota, Wisconsin dhe Miçigan, si dhe në Nebraskën lindore dhe pjesë të Indiana-s dhe Illinois-it. Parashikuesit e motit thanë se qielli me tym do të mbetej për pjesën më të madhe të ditës. Njerëzit me sëmundje të mushkërive, sëmundje të zemrës, fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna janë më të ndjeshëm ndaj kushteve të këqija të frymëmarrjes. Zyrtarët kanadezë të mjedisit thanë se tymi nga zjarret në pyje që po shkaktonte dukshmëri të reduktuar dhe cilësi të dobët do të vazhdonte deri të dielën në disa zona. Baza e monitorimit të cilësisë së ajrit IQAir me qendër në Zvicër, e cila vlerëson cilësinë e ajrit në kohë reale, e listoi qytetin e Mineapolis-it si një nga vendet me ajrin më të ndotur në botë që nga e premtja. Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) pritet të arrijë kategorinë e kuqe ose të pashëndetshme në një pjesë të madhe të Minesotës. AQI është një sistem i përdorur për të monitoruar ndotjen e ajrit. Tymi mund të fillojë të bjerë përpara se të përhapet deri në jug, në Tenesi dhe Misuri. “Ajri mund të mbetet i pashëndetshëm për grupet e ndjeshme deri të hënën”, thanë zyrtarët e shëndetit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›