E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEL AVIV – Dhjetëra mijëra izraelitë protestojnë pasi militantët e Gazës publikuan video që tregonin robër të dobësuar

TEL AVIV, 3 gusht /ATSH/- Dhjetëra mijëra protestues u bashkuan në një tubim në Tel Aviv dje në mbrëmje për të kërkuar lirimin e pengjeve që mbahen ende në Gaza, pas publikimit të videove propagandistike që tregonin dy robër izraelitë të dobësuar, sipas CNN.

Videot e publikuara nga grupet militante Hamas dhe Xhihadi Islamik Palestinez këtë javë treguan pengjet izraelite, Evyatar David dhe Rom Braslavski në një gjendje të rëndë fizike.

Në një video, David – jashtëzakonisht i dobët – shfaqet duke hapur një gropë për atë që ai e quan varrin e tij.

Pjesëmarrësit në tubim – disa prej të cilëve mbanin pankarta që shkruanin “Ndalojeni luftën” dhe “Mos lini askënd pas” – panë një pjesë të videos me David- që ishte projektuar në një ekran të madh pasi familja e tij dha leje që të shikohej.

Ata janë midis 50 pengjeve që mbeten në territor, të paktën 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Në atë që ka të ngjarë të jetë një përpjekje për të ushtruar presion mbi autoritetet izraelite, grupet militante publikuan videot ndërsa bisedimet për armëpushim kanë ngecur dhe ndërsa palestinezët përballen me një krizë në rritje të urisë në enklavë.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se 13 persona kanë vdekur nga kequshqyerja në 48 orët e fundit, përfshirë një fëmijë, duke e çuar numrin total të të vdekurve nga uria që nga fillimi i konfliktit në vitin 2023 në 175.

Në tubim, Ofir Braslavski, babai i Rom, tha se nuk e njohu të birin kur e pa për herë të parë.

“Romi im është i uritur për bukë, i etur për ujë, i sëmurë, i thyer fizikisht dhe i shkatërruar mendërisht. Fëmija im po vdes!” tha ai.

“Ju drejtohem juve, kryeministrit Izraelit, Benjamin Netanyahu: Mjaft! Qasja me faza ndaj marrëveshjeve ka dështuar”.

“Merrni vendimin që tani – përfundoni luftën dhe sillini të gjithë këtu. Pengjet, ushtarët e rënë, luftëtarët, rezervistët dhe ata të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ne duam të rehabilitohemi, të kthehemi në jetë, të marrim frymë”, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›