E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Ukraina dhe Azerbajxhani bien dakord për bashkëpunim ushtarak dhe rritje të tregtisë

KIEV/BAKU, 25 prill /ATSH– DPA/ – Ukraina dhe Azerbajxhani ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit ushtarak gjatë vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Baku.

“Gjashtë dokumente u nënshkruan”, njoftoi presidenti Zelensky në rrjetin X pas takimit me presidentin Ilham Aliyev në kryeqytetin azerbajxhanas.

“Çelësi qëndron në kompleksin e armatimeve. Ne do të zgjerojmë dhe thellojmë bashkëpunimin tonë”  tha Zelensky, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Në fillim të vizitës, Zekensky u takua me specialistë ukrainas të luftës me dronë, të cilët prezantuan përvojën e tyre para palës azerbajxhanase.

Ukraina ka nënshkruar më herët marrëveshje të ngjashme me vende të Lindjes së Mesme, duke u bazuar në përvojën e saj në përballjen me dronë të dizajnit rus dhe iranian.

Disa vende të Gjirit janë goditur nga dronë iranianë gjatë konfliktit aktual me Iranin.

Nën udhëheqjen e Aliyevit, Azerbajxhani ka ofruar mbështetje për Ukrainën në përballjen me pushtimin rus dhe është një furnizues i rëndësishëm nafte, me shkëmbime tregtare vjetore që arrijnë rreth 500 milionë dollarë.

Presidenti Aliyev tha se synimi është rritja e mëtejshme e tregtisë mes dy vendeve. Azerbajxhani, një ish-republikë sovjetike e pasur me naftë, ka ndjekur një linjë gjithnjë e më të pavarur në marrëdhëniet me Moskën. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›