E Diel, 1 Nëntor 2026

FOTO/ I vuri zjarrin Himarës, arrestohet në flagrancë piromani 52-vjeçar! Nga flakët u rrezikua edhe banesa, Policia jep detajet

Një 52-vjeçar është arrestuar në flagrancë sot (15 shtator) në Borsh të Himarës, pasi dyshohet se ka ndezur disa vatra zjarri në zonë.

Policia ka ndërhyrë pas njoftimit për përhapjen e flakëve në sipërfaqe me pyje dhe kullota. Për shkak të zjarrit janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme, ndërsa është rrezikuar edhe një banesë që ndodhej pranë vatrave të zjarrit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë shkuan menjëherë në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse, si dhe për kryerjen e veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave.

“Pranë vatrave të zjarrit, efektivët konstatuan shtetasin D. Z., 52 vjeç, banues në Borsh, i cili dyshohet se kishte ndezur disa vatra zjarri në zonë. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë bënë arrestimin e tij në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, tha policia vendore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Vlorës u ka bërë apel qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin. Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›