E Shtunë, 31 Tetor 2026

FOTO REPORTAZH/ Sarajet e Ramës, një karabina ku prej kohësh nuk shkel këmbë njeriu

Nga Lindita Çela

Edi Rama duhet ta ketë një arsye më shumë për të mallkuar fort Berishën, teksa makina e tij, jo pak komforte, i është ngjitur  malit të Dajtit.

Nga 10 mijë kilometra rrugë, që kryeministri thotë se ka shtruar në mandatin e dytë të qeverisjes së tij, nuk ka mbetur qoftë dhe një rul për të sheshuar gropat që zënë fill që nga Fresku e që i has në çdo një metër në rrugëtimin në shpatin e malit.

Në rrugën nacionale Tiranë- Djat nuk është vënë dorë, ndoshta që nga koha e Enver Hoxhës, megjithëse aty kanë gëluar ndërtimet.  Nuk ka më kurora ullinjsh apo dhe pemësh që të ndajnë shpatin e matit të Dajtit me kryeqytetin. Ndërsa Linza, Surreli apo dhe Priska, për nga ndërtimet që janë njëri-pas tjetrit, janë shndërruar në mëhalla të Tiranës.

Ndërtimet janë një kaos urbanistik e ligji i vetëm që ka zbatuar gjithsecili, është ai i zaptimit e ndërtimit sipas takatit. Pikërisht këtu, në këtë katrahurë të zhvillimit, alla shqiptarçe, ku janë shfarosur mijëra pemë e ullishte, që nga rrëza e shpatit të malit e deri në majë, ka zgjedhur për të ndërtuar shtëpinë e ëndrrave të tij, Edi Rama.

Shtëpia, për të cilën prej muajsh Partia Demokratike thotë se vetëm themelet janë 57 metra të gjatë e është ndërtuar në një sipërfaqe prej 8 mijë metra katrorë, është në Surrel, rrëzë malit të Dajtit.

Në Surrel

Fshati nuk është as 10 kilometra larg Tiranës, e për shkak të rrugës me gropa, të duhet më shumë se 45 minuta për të shkuar në Surrel.

Vendasit e mbajnë frymën kryesisht nga emigracioni e me të ardhurat e krijuara në këto 20 vjet.

Gjithkush ka mundur të ndërtojë sipas stilit e takatit. Ndërtesat e reja, pak prej tyre janë të përfunduara, janë ngritur rrëzë ngrehinave të vjetra, ku edhe pse rrënoja, dallohet stili i planit urbanistik të miratuar nga komiteti ekzekutiv i kohës.

Pikërisht këtu, në mes të fshatit, pak metra larg rrugës nacionale, janë hedhur themelet e shtëpisë së Edi dhe Linda Ramës.

Në Surrel, i madh e i vogël është në dijeni se banori më i ri i fshatit është kryetari i opozitës.

Me shumë mirësjellje, këdo që takon aty, të drejton në rrëpirën ku janë hedhur themelet për të cilën prej muajsh Laura Vorpsi flet nga selia e Partisë Demokratike.

Sapo kalon shtegun e ngushtë të shfaqet ndërtesa që ka hedhur shtat, e që duket se është e harruar jo vetëm nga i zoti.

Prej kohësh aty nuk po punohet, ndërsa nuk ka as roje apo dhe njerëz që kujdesen qoftë dhe për kureshtarët.

Dy blloqet e betonit ngjajnë si mall pa zot e vetëm vendasit të bindin se ajo është shtëpia e Edi Ramës.

I kanë parë me sytë e tyre se si Edi e Linda kanë ardhur aty për tu kujdesur në punët e shtëpisë së tyre.

Por kjo ka ndodhur kohë më parë. Tani edhe punët janë pezulluar. Ajo që syri të shesh janë dy radhë betoni, por që komunikojnë me njëri- tjetrin e që brenda tyre disa kënde të vegjël.

Të paktën si karabina ndërtesa ka përfunduar, megjithëse ka shumë punë me mbulimin apo dhe me suvatimin e së tërës.

Ajo që të bie në sy është se bashkë me themelet ndërtesa nuk i kalon pesë metra të gjatë. Ndërsa poshtë saj, pak metra më tutje, në livadhin që shtrihet aty pari, ka një tjetër gardh. Pikërisht aty është kufiri i Edi dhe Linda Ramës.

Përtej gardhit është një tjetër pronar me të cilin uket se lideri i opozitës do të duhet të ndajë lëndinën, që deri tani përdoret për kullotë.

Trualli i ndërtesës, edhe po të marrësh tërë lëndinën e ndarë në copa gardhi, nuk është 8 mijë metra katror.

Pronarët e Ramës

Qemal Troci është pronari i një pjesë të lëndinës që shtrihet poshtë shtëpisë së Edi Ramës. Megjithëse në Surrel të thonë se veterineri i fshatit i ka shitur tokën e shtëpisë Edi Ramës, burri rreth të 50-tave thotë krejt të kundërtën.

Nuk jam unë personi që i kam shitur tokën Edi Ramës. Toka ime është poshtë shtëpisë së tij, tek ajo lëndina dhe aty që është e lirë. Toka përdoret nga unë për të kullotur gjënë e gjallë, të shpjegon Qemali dhe pse fort i bezdisur nga dhënia e këtyre shpjegimeve.

Veterineri e konsideron si normale shitjen dhe blerjen e trojeve, qoftë edhe për liderin e opozitës.

Ndërsa Ramën, si banori më i ri i fshatit, Qemali e konsideron fat për Surrelin.

Në fakt, nuk janë të paktë vendasit që ardhjen e Ramës aty, e shohin si ogur të mbarë.

Për hir të tij, gjithkush beson se Surreli të nesërmen, me komshiun e tyre kryeministër, do të ketë së paku rrugë.

E ndërsa Qemal Troci flet për të mirat që do u sjelli Rama, tregon se pronar i tokës ku është ngritur karabinaja e shtëpisë së liderit të opozitës, është Isuf Isufi, një banor vjetër i zonës.

Isufi thotë se tokën e tij nuk ia ka shitur Edi Ramës. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, Isuf Isufi e ka shitur këtë prone më shumë se 10 vjet të shkuara.

Fillimisht dy dynym e më pas dy të tjera, e jo më shumë se 4 mijë lekë të vjetra metri katror.

Tokën time, aty ku është ndërtuar dhe shtëpia e Edi dhe Linda Ramës ia kam shitur Dhurata Relit. Është bashkëfshatarja jonë dhe unë e kam shitur më shumë se 10 vjet më parë sepse isha në gjendje të rëndë ekonomike. Asokohe kaq ishte çmimi i tokës këtu sepse askush nuk interesohej për këtë fshat. Di që Dhurata e bleu tokën për vajzën dhe mbesën, por shumë më vonë e kemi marrë vesh që mbesa ishte Linda, gruaja e Edi Ramës, të thotë Isuf Isufi.

Ndërsa burri rreth të 60-tave shpjegon historinë e pronës së tij, në deklaratën e pasurisë së Linda Ramës thuhet se në vitin 2005 ajo ka blerë dy sipërfaqe toke në fshatin Surrel, (2528 m2 dhe 1955 m2) me një vlerë totale 10.8 milionë lekë.

Pikërisht në njërën prej këtyre është ndërtuar dhe shtëpia e Edi dhe Linda Ramës, ku prej kohësh nuk shkel këmbë njeriu.

Aty nuk gjen jo vetëm pronarët e rinj, po as edhe një punëtor për të shpjeguar projektin e dy rrathëve që komunikojnë në një simetri perfekte me njëri- tjetrin.

Aty nuk është askush e asgjë nuk pipëtin. Në zhegun e vapës dëgjohet vetëm zëri i zogjve e gjinkallave, ndërsa syri humbet në gjëlbrimin e lëndinave përreth.

Ndërsa sheh dy rrathët e çuditshëm të betonit, kupton pse Edi dhe Linda Rama kanë zgjedhur për të jetuar aty, në shtëpinë që nuk është një kala e as nuk është e rrethuar me 8 mijë metra katrorë.

1

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›