FOTOT – Aksident tragjik në Gjermani, MEPJ: 3 shtetas shqiptarë kanë humbur jetën, 4 të plagosur

Një aksident rrugor me pasoja tragjike ka ndodhur të dielën në Gjermani, si pasojë e të cilit tre shtetas shqiptarë kanë humbur jetën, ndërsa 4 të tjerë janë të plagosur.
Aksidenti ka ndodhur pranë qytetit Koblenz, në Gjermani. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë. Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.”, njofton Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit. Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës. Për çdo informacion shtesë, lutemi të kontaktoni në: +49 1523 79 13 997”, mbyllet njoftimi për shtyp i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Rrethanat e aksidentit
Sipas Zdf.de, zyrtarët thanë se personat që kanë ndërruar jetë janë një burrë 53-vjeç dhe dy gra të moshës 47 dhe 65 vjeç. Të plagosurit janë midis moshës 20 dhe 66 vjeç. Sipas raportimeve. Plagët e tyre nuk janë kërcënuese për jetën. Nëntë pasagjerët kishin qenë më parë në një festë familjare në Hesse. Deri më tani nuk ka prova që shoferi 22-vjeçar ishte nën ndikimin e alkoolit ose drogës.
Autostrada e mbyllur plotësisht
“Është një aksident shumë, shumë i tmerrshëm”, tha një zëdhënës i policisë në Koblenz. Minibusi doli nga rruga rreth orës 3 të mëngjesit për arsye që ende nuk janë të qarta. Me sa duket, ai është rrotulluar disa herë. Asnjë automjet tjetër nuk ishte i përfshirë në aksident, tha policia. Autostrada u mbyll plotësisht në drejtim të Trier gjatë operacionit të policisë dhe shpëtimit.
/rtsh.al/