E Martë, 3 Nëntor 2026

FOTOT- Një anije po përgatitet të niset për në Gaza, si provë e korridorit të ri humanitar

Një anije po përgatitej të premten të largohej nga Qiproja dhe të nisej për në Gaza me ndihma humanitare, tha presidentja e Komisionit Evropian, ndërsa donatorët ndërkombëtarë po hapin një korridor detar për të furnizuar territorin e rrethuar që përballet me urinë e gjerë dhe mungesat e furnizimeve thelbësore pas pesë muajsh luftë.

Anija, që i përket Open Arms të Spanjës, do të bëjë një udhëtim pilot për të testuar korridorin, u tha Ursula von der Leyen gazetarëve në Qipro, ku ajo po inspekton përgatitjet për korridorin detar. 

Anija ka pritur në portin e Qipros të Larnakës për leje me qëllim për të ofruar ndihma ushqimore nga World Central Kitchen, një organizatë bamirëse amerikane e themeluar nga kuzhinieri i famshëm, José Andrés.

Izraeli tha të premten se mirëpret hapjen e korridorit detar, por paralajmëroi se do të kishte nevojë gjithashtu për kontrolle sigurie.

“Iniciativa e Qipros do të lejojë rritjen e ndihmave humanitare për Rripin e Gazës, pas një kontrolli sigurie sipas standardeve izraelite,” tha Lior Haiat, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Izraelit, në X, dikur Twitter.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtypin me Presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides, Von der Leyen tha se korridori është shumë pranë hapjes dhe se mund të jetë funksional të dielën, ose edhe të shtunën.

Në fjalimin e tij, Presidenti Biden tha se ushtria amerikane do të drejtonte një mision urgjent për të ndërtuar një port të përkohshëm në Mesdhe në bregdetin e Gazës, ku mund të ankorohen anije të mëdha që transportojnë ushqim, ujë, ilaçe dhe tenda për strehim të përkohshëm.

Përmes një deklarate të përbashkët, të shpërndarë sot, Komisioni Evropian, Gjermania, Greqia, Italia, Holanda, Republika e Qipros, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan formalisht planet për hapjen e korridorit,

“Korridori detar mund dhe duhet të jetë pjesë e përpjekjeve të qëndrueshme për të rritur dërgimin e ndihmave humanitare në Gazë përmes çdo mënyre të mundshme”, thuhej në deklaratë. 

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me Izraelin për të dërguar ndihmat në rrugë tokësore, duke këmbëngulur në nevojën për lehtësimin e sa më shumë rrugëve të transportit dhe hapjen e pikave të reja të kalimit me qëllim dërgimin e sa më shumë ndihmave tek sa më shumë njerëz”, thuhej mes të tjerash në deklaratë. AP

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›