FOTOT/ Dita e Fitores, flamujt e Ukrainës bllokojnë rrugën e ambasadorit rus në Poloni

Një instalacion i madh që përfaqëson mizoritë ruse në Ukrainë, bllokoi rrugën e ambasadorit rus në Poloni, ndërsa ai kërkonte të vendoste një kurorë me lule në një memorial në Varshavë për ushtarët sovjetikë në festën e Ditës së Fitores së Rusisë.
Instalimi përfshinte qindra flamuj ukrainas blu dhe të verdhë, si dhe kryqe që shërbenin si varre simbolike për ukrainasit e vrarë nga rusët gjatë luftës në shkallë të gjerë të nisur nga Moska vitin e kaluar.
Një imitacion pellgu gjaku poshtë kryqeve, nënvizonte mesazhin e ashpër të protestës, e cila u krijua nga Euromaidan-Ëarszaëa, një nismë qytetare që mbështet Ukrainën.
Organizatorja, Viktoria Pogrebniak, tha se instalimi, i vendosur në hyrje të vendit përkujtimor të Ushtrisë së Kuqe, kishte si qëllim që t’i kundërvihej propagandës ruse, si dhe “t’i tregonte botës pamjen reale”.
“Ne jemi të bombarduar, jemi vrarë, jemi përdhunuar”,- tha Pogrebniak. “Ne jemi vrarë vetëm sepse jemi ukrainas.”
Ajo tha se ambasadori dhe diplomatët e tjerë rusë do të duhet të ecin mbi kufomat simbolike të ukrainasve “ose do të duhet të kalojnë nëpër ferra”, nëse duan të arrijnë tek memoriali.
Me rrugën e bllokuar, ambasadori Sergej Andreev la një kurorë me karafila të kuq përpara qindra flamujve ukrainas ndërsa altoparlantët shpërthyen me tingujt e bombave dhe sirenave ajrore.
Instalimi përfshinte edhe modele të mëdha të ndërtesave të bombarduara dhe emrat e qyteteve të Ukrainës ku Rusia ka kryer mizori kundër ukrainasve si: Bucha, Irpin, Mariupol, Bakhmut.
Protestuesit rrethuan Andreev dhe shoqëruesit e tij dhe bërtitën “rusistët”, një fyerje që ndërthur fjalët “rusë” dhe “fashistë”.
Andreev, u zotua të kthehej më vonë gjatë ditës.
Disa polakë u shfaqën gjatë mëngjesit dhe bënë rrugën e tyre nëpër varrezat simbolike, ose nëpër ferra, për të arritur në memorialin e Ushtrisë së Kuqe për të lënë lule.
Kjo shkaktoi zemërimin e protestuesve, të cilët i denoncuan si “provokatorë” që u shërbenin interesave të Kremlinit.
“Ata janë tradhtarë të Polonisë,”- bërtiti një aktiviste, Katarzyna Augustynek. Ajo kapi një buqetë me karafila të bardhë të lënë nga një grua dhe e hodhi në tokë.
Shumë ushtarë të Ushtrisë së Kuqe vdiqën në luftën kundër Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por shumë polakë kujtojnë gjithashtu se si ata kryen përdhunime dhe krime të tjera. Ata janë të inatosur edhe për dekadat e kontrollit sovjetik që erdhi më pas për kombin e tyre.
Polonia refuzoi komunizmin e mbështetur nga Moska në 1989, dhe sot është një aleat i fortë i Ukrainës. Polonia po furnizon me armë Kievin dhe po u jep strehë shumë ukrainasve. Ka shumë pak polakë që mbështesin Moskën. Apnews
/rtsh.al/