E Hënë, 2 Nëntor 2026

FRANCË – Dënohet përjetë anestezisti që helmonte pacientët

PARIS, 18 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Një doktor anestezist është dënuar me burgim të përjetshëm për helmim të qëllimshëm të 30 pacientëve, përfshirë 12 që ndruan jetë. shkruan BBC.

Një gjykatë në qytetin Besançon në Francën lindore e shpalli Frédéric Péchier fajtor për kontaminimin e qeseve të infuzionit me substanca që shkaktonin arrest kardiak ose hemorragji.

Viktima e tij më e vogël, një fëmijë katërvjeçar, i mbijetoi dy arresteve kardiake gjatë një operacioni rutinë të bajameve në vitin 2016, ndërsa viktima më e vjetër ishte 89 vjeç.

“Ju jeni doktor i vdekjeve, një helmues, një vrasës. Ju jeni turp për të gjithë mjekët. E keni shndërruar këtë klinikë në një varrezë”, i deklaruan prokurorët atij javen e kaluar.

Péchier u vu për herë të parë nën hetim tetë vjet më parë, kur dyshohej për helmim të pacientëve në dy klinika në Besançon midis viteve 2008 dhe 2017.

Viktima e tij e parë e njohur, Sandra Simard, ishte 36 vjeç kur përjetoi një arrest të papritur kardiak në mes të një operacioni në shpinë. Ajo mbijetoi falë ndërhyrjes së Péchier, megjithëse ra në koma.

Testet në qeset e saj të infuzionit treguan përqendrime kaliumi 100 herë më të larta se doza e pritur dhe prokurorët u vunë në alarm.

Gjatë 15 javëve të gjyqit, Péchier ndonjëherë pranoi se disa nga pacientët që u sëmurën ose vdiqën mund të jenë helmuar, por ai mohoi çdo keqbërje.

Péchier tani do të kalojë të paktën 22 vjet pas hekurave, pasi ka qenë i lirë gjatë gjithë gjyqit. Ai ka 10 ditë për të paraqitur një apel, gjë që do të përfshijë një gjyq të dytë brenda një viti.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›