FRANCË – Dhjetëra të evakuar dhe dhjetëra hektarë tokë digjen pas një zjarri

PARIS, 21 qershor ATSH-AFP/ – Një zjarr në departamentin Cher, i cili ka qenë nën një paralajmërim të kuq për valë të nxehti që nga e diela, dogji sot 25 hektarë me të mbjella, ndërsa rreth 50 persona u detyruan të evakuoheshin, njoftoi prefektura, që shtoi se katër zjarrfikës pësuan lëndime të lehta.
Njoftimi për shtyp i prefekturës thotë se zjarri “shpërtheu në komunën Le Touchay, në lokalitetin Le Chagnon”.
”Aktualisht, janë djegur 25 hektarë me të mbjella, si dhe shtatë automjete dhe një autokolonë. Dyzet e katër persona janë evakuuar në qendrën komunitare”, shtoi ajo.
Katër zjarrfikës pësuan lëndime të lehta gjatë operacioneve të shpëtimit dhe 64 zjarrfikës janë aktualisht në vendngjarje.
Autoritetet po i bëjnë thirrje publikut të ndjekë udhëzimet e sigurisë, të shmangë zonën e prekur dhe të mos pengojë shërbimet e emergjencës.
Cher, një departament bujqësor në Francën qendrore, është vendosur nën një paralajmërim të kuq për valë të nxehti që nga mesdita e së dielës.
“Temperaturat e vëzhguara mbeten veçanërisht të larta dhe kushtet e motit nuk tregojnë ndonjë përmirësim të ndjeshëm në afat të shkurtër”, sipas prefekturës.
Zyra e motit tha se temperaturat pritet të kalojnë vlerën maksimale prej 41 gradë Celsius.
Edhe presidenti Emmanuel Macron u bëri thirrje njerëzve të kujdesen dhe të ndihmojnë të tjerët nëse është e nevojshme.
”Le t’i marrim në konsideratë të moshuarit tanë, fëmijët tanë dhe të gjithë njerëzit e tjerë të vetmuar ose të cenueshëm”, shkroi ai në X./ a.jor.