E Enjte, 5 Nëntor 2026

FRANCË – E majta duhet të zgjedhë kandidatin për kryeministër brenda javës

PARIS, 8 korrik /ATSH-DPA/ – Aleanca e krahut të majtë në Francë, e cila doli fituese e  papritur e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, është gati të zgjedhë kandidatin e saj për kryeministër brenda një jave, deklaroi kreu i Partisë Socialiste, Olivier Faure dhe zyrtarë të tjerë të lartë të partisë.

Aleanca e Frontit të Ri Popullor (NFP) përbëhet nga socialistët, të gjelbrit, komunistët dhe ”Franca e Papërkulur” e Jean-Luc Mélenchon.

”Ne duhet të jemi në gjendje të paraqesim një kandidat për postin e kryeministrit brenda një jave”, tha Faure për transmetuesin ”France Info”.

Sipas tij, duhet të merret një vendim i shpejtë për t’i demonstruar opinionit publik se aleanca është gati të qeverisë.

Faure tha se ”kandidati mund të zgjidhet bazuar në konsensusin midis zyrtarëve të partisë ose përmes votave të partisë”.

Mathilde Panot, udhëheqëse e grupit parlamentar të ”France Unbowed”, deklaroi se do të paraqesë një kryeministër dhe një qeveri këtë javë.

Në një intervistë për ”France Inter”, kryetarja e Partisë së Gjelbër, Marine Tondelier u shpreh në favor të një vendimi konsensual.

Ajo shtoi se është shumë më e rëndësishme të bien dakord për politikat sesa personi që do të jetë kryeministër./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›