FRANCË – Macron shpërndan parlamentin pas fitores së të djathtës

PARIS, 9 qershor /ATSH-AFP/ – Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi sot në mbrëmje shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare dhe organizimin e zgjedhjeve të reja legjislative, pas fitores në zgjedhjet evropiane të ekstremit të djathtë francez, shumë përpara kampit të shumicës presidenciale.
“Do të firmos brenda pak çastesh dekretin për thirrjen e zgjedhjeve legjislative që do të mbahen më 30 qershor për raundin e parë dhe më 7 korrik për të dytin”, deklaroi kreu i shtetit në një fjalim televiziv pas shpalljes së rezultateve evropianët.
E djathta ekstreme e udhëhequr nga Jordan Bardella fitoi zgjedhjet me më shumë se 30% të votave, duke i shkaktuar një disfatë dërrmuese kampit presidencial, i cili mori rreth 15% të votave, sipas vlerësimeve, dhe gjithashtu ndiqet nga afër nga lista e socialdemokratët.
”Rezultati i votimit evropian nuk është një rezultat i mirë për partitë që mbrojnë Evropën”, këmbënguli Emmanuel Macron, duke vënë në dukje se e djathta ekstreme arriti “gati 40% të votave të hedhura” në Francë, nëse i shtojmë listës Bardella edhe partinë e vogël të udhëhequr nga Eric Zemmour, ”Reconquête”.
“Rritja e nacionalistëve dhe demagogëve është një rrezik për kombin tonë, por edhe për Evropën tonë, për vendin e Francës në Evropë dhe në botë”, shtoi ai.
Jordan Bardella, i cili kishte qenë fituesi i madh i zgjedhjeve për javë të tëra në sondazhe, kishte njoftuar tashmë se do të kërkonte shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare dhe e kërkoi përsëri të dielën në mbrëmje, duke e përshkruar presidentin Macron si një “president të dobësuar”.
Duke reaguar menjëherë, liderja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen deklaroi se “ne jemi gati të ushtrojmë pushtetin nëse francezët na besojnë”.
Le Pen doli dy herë pas presidentit Macron në zgjedhjet presidenciale të 2017 dhe 2022 dhe synon afatin përfundimtar të vitit 2027./ a.jor.