E Diel, 1 Nëntor 2026

FRANCË – “Musée d’Orsay” hap një sallë për veprat e grabitura nga nazistët

PARIS, 4 maj /ATSH-AFP/ – “Musée d’Orsay” në Paris ka hapur një hapësirë të re ekspozimi të dedikuar veprave të artit të gjetura në Gjermani pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e të cilave ishte grabitur gjatë periudhës naziste, me synimin për të ruajtur dhe transmetuar kujtesën historike.

Në këtë sallë të re, të titulluar “Kujt i përkasin këto vepra?”, janë ekspozuar piktura nga artistë të njohur si Pierre-Auguste Renoir, Edgar Degas dhe Eugene Boudin, si dhe nga piktorë më pak të njohur.

“Pas kësaj pyetjeje të thjeshtë fshihet një çështje shpesh e dhimbshme, që lidhet me kujtesën, hetimin dhe shpresën për drejtësi”, deklaroi presidentja e muzeut, Annick Lemoine, gjatë prezantimit të sallës.

“Musée d’Orsay” ruan ende 225 nga rreth 2 200 veprat e besuara muzeve franceze në kuadër të programit “Musées Nationaux Récupération” (MNR).

Këto janë vepra që nuk janë kërkuar nga pronarët e tyre, ndër mbi 100 000 objekte kulturore të deklaruara si të grabitura nga hebrenjtë ose të blera në Francë gjatë pushtimit.

Rreth 60 000 prej tyre u gjetën pas luftës dhe iu kthyen pronarëve, ndërsa një pjesë tjetër u shit nga shteti në fillim të viteve 1950.

“Pas më shumë se 80 vitesh nga fundi i luftës, identifikimi i pronarëve bëhet gjithnjë e më i vështirë”, shpjegon kuratori i lartë për skulpturën, François Blanchetière.

Megjithatë, procesi i gjurmimit të origjinës së veprave vazhdon, veçanërisht falë internetit dhe inteligjencës artificiale, me rreth 30 raste aktualisht në shqyrtim në Francë.

“Është një punë e vërtetë hetimore, shpesh shumë komplekse”, thekson ekspertja Inès Rotermund-Reynard.

Kjo ilustrohet nga kërkimet për të përcaktuar origjinën e pikturës “Souper au bal” të Degas, e blerë nga një koleksionist hebre që më pas u deportua në Auschwitz, përpara se vepra të rishitej në rrethana të panjohura dhe të përfundonte në një muze gjerman.

Në fillim të prillit, Gjykata e Lartë e shtetit të Nju Jorkut urdhëroi kthimin e një pikture të Amedeo Modigliani, e grabitur gjatë luftës nga një tregtar arti hebre britanik, te trashëgimtari i tij i vetëm, një fermer francez që jeton në Dordogne./  /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›