E Enjte, 5 Nëntor 2026

FRANCË – Udhëheqësit botërorë në 80-vjetorin e D-Day

PARIS, 6 qershor /ATSH-DPA/- Udhëheqësit botërorë nga të dy anët e Atlantikut pritet të marrin pjesë sot në ngjarjet përkujtimore në Francë duke shënuar 80-vjetorin e zbarkimit të trupave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ardhja e trupave shënoi fillimin e fushatës së suksesshme për çlirimin e Evropës nga Gjermania naziste.

Ndër udhëheqësit e profilit të lartë të pranishëm do të jetë edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili mbërriti në Francë të mërkurën.

Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky si dhe mbreti i Britanisë së Madhe Charles III dhe anëtarë të familjes mbretërore holandeze pritet të marrin pjesë gjithashtu.

Në ngjarje do të mungojë presidenti rus Vladimir Putin, i cili ka qenë i izoluar ndërkombëtarisht pasi urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022 dhe nuk u ftua të merrte pjesë në përkujtim këtë vit.

Trupat aleate zbarkuan në brigjet e Francës veriore më 6 qershor 1944, duke shënuar preludin e çlirimit të Francës dhe Evropës Perëndimore nga sundimi nazist.

“Operation Neptun” – emri zyrtar i koduar i zbarkimeve në Normandi – shënoi një pikë kthese të qartë në luftë.

D-Day do të mbahet mend gjithashtu për dhjetëra mijëra jetë të humbura pasi ushtarët aleatë që zbarkonin në vijën bregdetare u ndeshën me një rezistencë të ashpër gjermane.

Më shumë se 150 000 ushtarë u nisën në Francën veriore nga Portsmouth në Britaninë e Madhe 80 vjet më parë.

Forcat aleate në D-Day përbëheshin kryesisht nga trupa të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Polonisë dhe Francës.

Festimet përkujtimore do të zhvillohen në Saint-Laurent-sur-Mer, i njohur si Omaha Beach.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›