E Diel, 1 Nëntor 2026

FRD: Nishani nuk ka ftuar në konsultat për zgjedhjet

TIRANE- Ftesa e Presidentit Bujar Nishani nuk ka mbërritur në selinë e FRD-së për t’ju bashkangjitur tryezës së partive politike të datës 5 nëntor, e cila nis konsultimet për datën e zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës. Njëri nga anëtarët e grupit nismëtar të FRD-së, ish-deputeti Aleksandër Biberaj bëri dje të ditur për “Gazeta Shqiptare” se FRD nuk ka marrë ende ftesë nga kreu i shtetit. “Ftesa mund të vijë edhe më datën 4 nëntor, por ajo që mund t’ju them është se deri tani nuk kemi marrë ftesë, ndërkohë që ne jemi parti parlamentare”, deklaroi z.Biberaj. Sa i përket qëndrimit që do të mbajë FRD-ja, përfaqësuesi i kësaj partie bën të qartë se gjithçka do të vendoset në momentin që do të kenë marrë ftesën e z.Nishani. “Do të presim të na vijë ftesa dhe pastaj të mbajmë një qëndrim”, - u shpreh z.Aleksandër Biberaj. 

Ndryshe nga FRD, krerët e partive të tjera kanë konfirmuar mbërritjen e ftesës dhe pjesëmarrjen në tryezën e partive politike të datës 5 nëntor. Mësohet se ftesa u është dërguar partive parlamentare PD-së, PRsë, LSI-së, PDIU-së dhe PSsë e PBDNJ nga opozita. Dy ditë më parë, kreu i shtetit Bujar Nishani përmes një njoftimi zyrtar ftoi partitë politike parlamentare të bisedojnë e të konsultohen për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e ri të Shqipërisë. 

Presidenca njoftoi se: “Në zbatim të detyrimit kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani ka ftuar në takime përfaqësuesit e partive politike parlamentare, për të biseduar dhe për t’u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”,- thuhet në njoftim. Takimet për konsultat mes partive politike në vend do të zhvillohen ditën e hënë, datë 5 nëntor 2012, në mjediset e Presidencës. Pak ditë më parë eksperti i Partisë Socialiste, Bledar Çuçi, duke nënvizuar se dhjetori i 2012-ës është afati maksimal për dekretimin e datës së zgjedhjeve, inkurajoi Presidentin Bujar Nishani të mos presë deri në limitet e fundit kohore, por të përcaktojë sa më parë datën e zgjedhjeve. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) u bëri thirrje anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mblidhen sa më parë për t’u paraprirë në kohë detyrimeve dhe afateve që parashikon ligji zgjedhor. Gjithashtu, duke synuar realizimin e një procesi zgjedhor sa më të arrirë, koalicioni i bëri thirrje 
Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, që në zbatim të Nenit 9 të Kodit Zgjedhor, të marrë në shqyrtim dhe të dekretojë sa më parë datën e Zgjedhjeve të Ardhshme Parlamentare. Në bazë të Kushtetutës, është kompetencë e Presidentit të Republikës ai që cakton datën e zgjedhjeve përmes konsultimeve me forcat politike.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›