E Diel, 1 Nëntor 2026

FRIDE:Shqipëria, kujdes me zgjedhjet e gjyqësorin

Instituti Studimor FRIDE në një raport për Shqipërinë, arrin në përfundimin se janë shënuar hapa përpara, por ende mbetet shumë për t'u bërë. Në një intervistë për BBC-në, Drejtori i Përgjithshëm i këtij instituti me qendër në Madrid, Richard Youngs, thotë se Shqipëria duhet të hedhë hapa për të përmirësuar mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve, për të forcuar pavarësinë e medias dhe për të institucionalizuar politikën demokratike.
Ai shtoi gjithashtu se edhe pse u pranua se zgjedhjet e qershorit të kaluar shënuan një hap përpara, duhet të hidhen hapa për të rritur shkallën e ndershmërisë së zgjedhjeve. " Dua të përmend edhe dy fusha të tjera ku ne vlerësojmë se duhet të hidhen hapa të mëtejshme - pavarësia e medias dhe lufta kundër korrupsionit. Sigurisht, janë hedhur disa hapa edhe në këto fusha, por ekziston mendimi se Shqipëria mund të arrijë shumë më tepër progres" shtoi Youngs.
Gjithashtu sipas Youngs ndër fushat ku duhet ecur me ritme më të shpejta raporti përmend forcimin e shtetit ligjor, ndarjen e pushteteve dhe luftën kundër korrupsionit.
"Mendoj se në shumë fusha kryesore si shteti ligjor, forcimi i institucioneve dhe funskionimi i administratës, pranohet se ka pasur progres gradual dhe kjo është demonstruar edhe në përgjigjet e përgatitura nga Shqipëria për pyetësorin e Komisionit Evropian. Në disa aspekte ne arritëm në përfundimin se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, por shpesh ritmet janë më të ngadalëta se ç'shpresojnë shumë vetë" theksoi Youngs.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›