E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta:Shqipëria, mbështetje për arritjen e objektivave të NATO-s

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Ilir Meta mori pjesë në përfundimet e punimeve të takimit jozyrtar i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s.
Në fjalën e tij gjatë takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut me vendet kontribuese në operacionin ISAF në Afganistan, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për arritjen e objektivave të NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar për Afganistanin.
Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme u shpreh i inkurajuar për rritjen e numrit të vendeve kontribuese në kuadër të ISAF (aktualisht 46), si tregues i qartë i angazhimit në Afganistan, që nuk ka për qëllim sigurinë e Aleatëve dhe as të ndonjë vendi të veçantë, por të të gjithë komunitetit të vendeve demokratike.
Gjithashtu Meta theksoi shtimin e konsiderueshëm të kontributit të Shqipërisë me trupa gjatë vitit 2009, angazhimet për vitin 2010, si dhe kontributin e vendit tonë në kuadër të përqasjes gjithëpërfshirëse, duke nënvizuar rëndësinë e komponentit civil mjekësor dhe asistencës në fushën e arsimimit.
Në fjalën e tij përpara Këshillit të Atlantikut të Veriut Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta theksoi angazhimin konstruktiv të Shqipërisë me një pozicion të qartë mbi elementët që duhet të përfshijë Koncepti i ri Strategjik i NATO-s dhe në të njëjtën kohë shprehu përkushtimin e vendit tonë për vazhdimin e rolit aktiv deri në miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm strategjik të Aleancës, në Samitin e Lisbonës.
Gjatë Ministerialit, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta mbështeti aspiratat integruese euroatlantike të Bosnje-Hercegovinës dhe ritheksoi qëndrimin e Shqipërisë në favor të përfshirjes së saj në Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›